“E falënderoj Rashicën që zgjodhi Shqipërinë”, Alban Bushi: Ibrahimoviç është kontaktuar, ja pse nuk u thirr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 23:59

“E falënderoj Rashicën që zgjodhi Shqipërinë”, Alban Bushi: Ibrahimoviç është kontaktuar, ja pse nuk u thirr

Shqipëria U-21 luan përballë Rumanisë dhe Malit të Zi, në sfidat e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2025. Trajneri i Shpresave, Alban Bushi foli se çfarë pret nga këto dy takime dhe gjithashtu u ndal te Arijon Ibrahimoviç, që po bën mjaft mirë me Frozinonen në Serinë A.

alban bushi

A është skuadra gati? Mund të përsëriten sukseset që kemi pasur në Elbasan dhe Rrogozhinë?

Gjëja më e mirë është që në 5 muajt e fundit ne kemi bërë ndeshje. Kjo është diçka shumë e mirë për ekipin, pasi lojtarët janë konsoliduar dhe janë njohur shumë mirë me njëri-tjetrin dhe pak a shumë atë stil loje që ne kemi menduar të luajmë, ata e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe për këtë ndihem mirë. ndihem mirë dhe që jemi në vendin e parë. dhe pse kundërshtarët kryesorë kanë një ndeshje më pak, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse të jesh në vend të parë në këtë grup është diçka e mirë. mendoj si Rumania, ashtu dhe Mali i Zi janë kundërshtarë shumë të fortë. I njohim shumë mirë, siç na njohin dhe ata ne. Do bëjmë diçka ndryshe. Nga ndeshja e parë me Rumaninë, duhet të jemi më pak të ekuilibruar, sepse ndeshjen që kemi bërë këtu na kanë kapur shumë herë në kundërsulme. Do mundohemi të jemi më mirë në ndeshjen atje. Dhe me Malin e Zi, sepse është një ekip në nivel pothuajse me ne.

Dy risi nga kampionati shqiptar. A është për të motivuar të tjerët për të ardhmen?

Mendoj se janë dy lojtarë me perspektivë. Rashica është datëlindja 2004, gjithashtu edhe Beqjaj. Mendoj se janë lojtarë shumë të mirë. Rashica është hera e parë që vjen me ne, ka qenë lojtar i të rinjve të Kosovës. Unë e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë. Mendoj që shpejt do i dali pasaporta dhe ta kemi gati për ndeshjen e radhës. Shqipëria nuk është se ka shumë lojtarë të rinj në kampionatin vendas, nuk i japin shumë dorë të rinjve. Ky është një problem i madh për ekipin Kombëtar U-21, se nuk ka ku kërkon lojtarë dhe jemi munduar të kërkojmë gjithmonë jashtë. edhe pak lojtarë që dalin në kampionatin shqiptar, nuk punohet shumë me ata nga ana individuale për t’i rritur si fizikisht, si taktikisht.

Ibrahimoviç po bën mirë në Serinë A. Ka pasur interes nga FSHF-ja për ta afruar?

Çdo lojtarë shqiptarë, kudo që është, në çdo kampionat të Europës, ne e kontaktojmë. Nuk diskutohet fare që ka pasur kontakt nga Shqipëria, por për arsye të njëanshme të lojtarit, mund të presë Gjermaninë ose diçka tjetër, për këtë arsye nuk është thirrur. Por çdo lojtar shqiptar, që është në kampionatet e Europës, sidomos që ka nivel për ekipin Kombëtar është kontaktuar 100% nga ne.

Objektivat e Shqipërisë në këto dy ndeshje…

Futbolli është i paparashikueshëm, pavarësisht se diferencat janë të mëdha, Rumania me Shqipërinë, kur i sheh lojtarët individualisht. Ne kemi disa lojtarë që janë më të mirë se ata individualisht. Rumania ka shumë lojtarë të mirë, të cilët kanë minuta nën këmbë dhe luajnë në klube shumë presitigjioze në Europë. Kanë nivel të lartë. Por siç e thashë, futbolli është i paparashikueshëm dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne do të shkojmë atje për të qenë të ekuilibruar dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Kanë kaluar më shumë se gjysma e ndeshjeve dhe duhet të jemi pak të zgjuar, jo euforikë. Në Finlandë ishim pak euforikë dhe u ndëshkuam shumë shpejt. Eufori pak nga lojtarët, për shkak të moshës delikate. Secili mendon për më mirë, por duhet të kemi kujdes dhe për më mbrapa. Gjëja më e rëndësishme është që duhet të mbrohemi mirë, sepse lojtarët, individualisht, nëse i lë hapësira, janë shumë të shpejtë dhe të mirë fizikisht dhe të bëjnë problem. Jam edhe i mendimit që te kjo moshë nuk duhet parë edhe shumë rezultati, sepse të kënaq futbolli i luajtur bukur, të shënojmë gola. Por, kur jemi afër dhe jemi në vend të parë, pse mos ta tentojmë? Të jemi më të ekuilibruar dhe jo të shkojmë shumë përpara. Do të isha i kënaqur me një barazim ndaj Rumanisë. Rumania është një ekip i fortë, ka fituar ndeshjet brenda me tre goditje standarde. Grupi është i ekuilibruar dhe një rezultat pozitiv do të ishte shumë mirë për ne.

Lojtarët nga Kosova që zgjedhin të luajnë për Shqipërinë, për shkak të Bushit apo ndikon suksesi i Kombëtares A?

Mund të jetë ekipi i parë, por nuk mendoj. Ne kemi marrë gjithmonë lojtarë shqiptarë nga Kosova. Nuk po marrim vetëm tani që ekipi A ka rezultate. Është zgjedhja e tyre, ne thjesht i kontaktojmë. Jo për të bërë polemika, por ne thjesht i kontaktojmë nëse ata kanë dëshirë të vijnë të luajnë për Shqipërinë. Është një luks i madh që një lojtar të ketë mundësi të zgjedhë mes dy ekipeve, Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja Kombëtaret janë njësoj. Siç ne na bëhet qejfi kur Kosova ecën mirë, edhe atyre u bëhet qejfi kur Shqipëria bën mirë.

Roko Vata?

Nuk është mirë të flas për një lojtar që luan për Irlandën.

A ka ndonjë lojtar që nuk është me ekipin për shkak të disponibilitetit?

Ne trajnerët afeksionohemi pas lojtarëve ndonjëherë. Janë disa lojtarë që unë do të doja t’i kisha, por nuk janë në nivelin e lojtarëve që ne kemi thirrur. Shpresoj që të rriten dhe të punojnë më shumë, sidomos në moshën që janë ata, me nga dy stërvitje në ditë. Nuk ka shumë lojtarë për momentin. Datëlindja 2002-2003 është një datëlindje e vështirë.

Problemet e lojtarëve me pasaportat?

Fillimi ishte pak i vështirë, tani pasaportat i kemi bërë. Presim pasaportën e Rashicës këto ditë.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"