Dy mungesa të sigurta te Kukësi/ Longo, përgatitje me “silenciator” para “finales” me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 10:36

Dy mungesa të sigurta te Kukësi/ Longo, përgatitje me “silenciator” para “finales” me Tiranën

Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Tiranën këtë fundjavë. Sfida me bardheblutë konsiderohet si tepër e rëndësishme në kampin verilindor, pasi tani me afrimet që kanë bërë në merkato, kanë rritur edhe pretendimet në kampionat, me titullin kampion që po e shohin si një objektiv serioz.

KUKESI

Edhe pse tekniku Longo është munduar shpesh që të largojë presionin, duke mos e konsideruar skuadrën e tij në nivelin e kundërshtarëve dhe veçanërisht të Tiranës, afrimet e Shkurtajt apo Mustës, pa harruar Gligorovin dhe Pëllumbin, me këtë të fundit që pritet vetëm zyrtarizmi sa të bëhet gati dokumentacioni, e kanë kthyer Kukësin në një ekip që do të pretendojë maksimumin.

Gjithsesi, përballja me Tiranën mund të ndajë jo pak gjëra, edhe pse mbetet për t’u luajtur edhe gjysma tjetër e kampionatit.

PËRGATITJE ME “SILENCIATOR” – Përpara ndeshjes me kryesuesit, verilindorët kanë preferuar të zhvillojnë përgatitjet në qetësi të plotë dhe pa shumë zhurmë, duke u përqendruar vetëm te seancat stërvitore, me këto të fundit që janë alternuar sa në fushë dhe sa në palestër.

Madje, edhe në faqet zyrtare të klubit, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, nuk janë bërë as raportimet e zakonshme me situatën që mbi zotëron në skuadër para kësaj ndeshjeje, duke preferuar të qëndrojnë edhe larg syrit të publikut, por edhe kundërshtarit. Jo vetëm kaq, por për të mbajtur në tonus skuadrën dhe për të mos i shpërqendruar nga ndeshja, drejtuesit kanë vendosur të jenë në heshtje shtypi.

Kuksianët e kanë bërë këtë gjë edhe më herët gjatë këtij sezoni në ndeshjet me koeficient vështirësie të lartë, siç është rasti i bardhebluve.

Me pak fjalë, mund të thuhet se përgatitjet e Kukësit para sfidës me bardheblutë po bëhet me “silenciator” dhe pa u ndier, me shpresën se kjo gjë do të mbajë skuadrën të karikuar dhe të përqendruar vetëm në 90 minutat e ndeshjes së radhës me Tiranën kryesuese.

SITUATA ME DËMTIMET – Te Kukësi ka lajme të mira sa i përket infermierisë, teksa së fundmi me ekipin është bashkuar edhe mesfushori Luka Milunoviç, i cili u dëmtua në ndeshjen me Dinamon dhe mungoi ndaj Skënderbeut.

I gatshëm do të jetë edhe Feizhao, ndërsa sulmuesi Puntus duket se nuk do t’ia dalë të jetë gati për skuadrën dhe do të vazhdojë të mungojë për arsye dëmtimi.

Nga ana tjetër mungon edhe portieri Tafas për shkak kartonësh, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk paraqet probleme për momentin dhe pritet që Longo t’i ketë të gatshëm për ndeshjen e së dielës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"