“Të pranojmë realitetin”, trajneri i ri i Besëlidhjes “skanon” ekipin: Me këtë potencial, duhet të tentohej ngjitja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 14:29

“Të pranojmë realitetin”, trajneri i ri i Besëlidhjes “skanon” ekipin: Me këtë potencial, duhet të tentohej ngjitja

Pas tri sezonesh, Alban Bruka rikthehet te Besëlidhja. Nëse herën e fundit drejtonte një skuadër që pretendonte ngjitjen, këtë herë do t’i duhet të garojë për mbijetesë. Një gjë e pazakontë për lezhjanët (ndonëse kanë 13 sezone në inferiore), çka e bën sezonin të dështuar. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku shpreh keqardhjen për ecurinë e ekipit, megjithatë qartazi e thotë se vendin e parë të “play out”-it nuk do ta diskutojnë.

Alban Bruka

“Besëlidhja me potencialin që ka, nuk duhej të ishte këtu. Gjithsesi, tani duhet t’i përshtatemi realitetit. Le të punojmë për objektivat e rinj që dolën rrugës. Unë e njoh shumë mirë ekipin, pasi jam rritur këtu si futbollist dhe më vonë e kam drejtuar edhe si trajner. Po punojmë fort për ta karikuar skuadrën për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit B, pasi pozicioni që mbajmë në tabelë nuk na lejon hapa falsë. Ne e vlerësojmë Partizanin B maksimalisht, pasi kemi edhe të njëjtin objektiv këtu në zonën e mbijetesës. Na duhet që të punojmë fort këto dy ditë stërvitore, për të dhënë maksimumin në arenën e blertë ditën e ndeshjes. Objektivi im është që, ekipi ta mbyllë sezonin në krye të minigrupit të ‘play out’-it.

Tashmë autobusin do ta parkojmë këtu”, përfundoi lezhjani. Kujtojmë se Alban Bruka e ka drejtuar edhe dy herë të tjera Besëlidhjen. Për herë të parë, ai e ka qenë në stol gjatë sezonit 2010-2011 (ndonëse për pak kohë) dhe për të dytën herë erdhi në sezonin e suksesshëm 2016-2017. Lezhjanët në atë edicion shkuan deri në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë (duke eliminuar Partizanin dhe më pas Flamurtarin). Jo vetëm kaq, por edhe në kampionat bën mirë. E mori ekipin 9 pikë larg kreut dhe e mbylli sezonin me pikë të barabarta me Kamzën, e cila u ngjit në Kategorinë Superiore falë një fitoreje që kishte marrë që herët në Lezhë, kur skuadra drejtohej nga trajneri Stavri Nica.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"