“Duhet shpirt gare, ekipi po ringrihet”, ish-kapiteni Byzhyti: Derbin e fiton Lushnja, Maganit i duhet ende kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 12:12

“Duhet shpirt gare, ekipi po ringrihet”, ish-kapiteni Byzhyti: Derbin e fiton Lushnja, Maganit i duhet ende kohë

Alban Byzhyti, një “emblemë” e futbollit lushnjar flet në prag të derbit me Apoloninë. Ish-kapiteni i Lushnjës, tha se ekipi verdhejeshil është në proces ringritjeje.

Byzhyti45

Në një intervistë për “Panorama Sport”, sot mbush 40-vjeç “xholi” i lushnjarëve, që për vite më radhë tha se Lushnja duhet të fitojë derbin, i cili është një objektiv i veçantë që duhet të gëzojë qytetin.

Si e vlerësoni edicionin e sivjetshëm të Lushnjës?

Lushnja është në një proces ringritjeje. Çdo gjë kërkon kohën e vet. Është një proces i gjatë dhe i vështirë. Nuk mund të vijë menjëherë përmirësimi. Kemi një përmirësim gradual. Kemi një skuadër më të mirë.

Në fundjavë luhet derbi me Apoloninë. Keni një parashikim për këtë ndeshje?

Më rreh zemra fort. Dua që të fitojë Lushnja. Është një ndeshje shumë e veçantë. Derbi është një objektiv dhe Lushnja duhet të fitojë patjetër. Ka humbur në Elbasan dhe në Fier. Këtë ndeshje duhet ta fitojë me patjetër. Për mendimin tim, fiton Lushnja.

Çfarë i këshilloni këtij grupi lojtarësh?

Duhet më shumë shpirt gare. T’i japim kohën e duhur trajnerit Magani, sepse nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë. Është një trajner shumë i përgatitur dhe ka bërë një punë shumë të mirë te Lushnja. Magani është më shumë se një trajner këtu. Është një mik i futbollit lushnjar. I uroj vetëm suksese mikut tim Magani.

A mendoni se një ditë mund të jeni pjesë e klubit?

I kam mbaruar të gjitha kurset. I kam lënë në sirtar për momentin. Merrem me punët e mia familjare dhe ndjek ekipin e Lushnjës.

E latë futbollin te Shkumbini. Si e konsideroni atë eksperiencë?

Dihen vitet e mia në Peqin. I vlerësoj përpjekjet e Shkumbinit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Shpresoj shumë që pas dy viteve ata të ngjiten.

ALBAN ALUSHI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"