Dueli Real-Barcelona, madrilenët i lë… benzina. Ja statistikat e frikshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 23:49

Dueli Real-Barcelona, madrilenët i lë… benzina. Ja statistikat e frikshme

La Liga spanjolle do të ketë 11 finale deri në fundin e sezonit, nga të cilat do të dalin verdiktet e kampionatit. Por të panjohurat janë të shumta dhe më kryesorja është klasifikimi final dhe debati për titullin kampion. Për momentin, Barcelona (58) ka një avantazh të vogël mbi Realin (56).

1571223182_832963_1571223230_noticia_normal_recorte1

Edhe vendet europiane do të diskutohen deri në fund me një betejë të ashpër mes Sevijes (47), Sociedadit(46), Getafes (46) dhe Atletikos së Madridit (45). Pak më të shkëputura janë Valencia dhe Vijareali. Janë vetëm 11 ndeshje dhe marzhi i gabimit të këtyre skuadrave duhet të jetë i ulët. Është ora e së vërtetës dhe skuadrat duhet të mbajnë presionin për të shkuar deri në fund.

KTHIM NË KOHË

Gazeta spanjolle “AS” ka bërë një analizë të 11 javëve të fundit të kësaj dekade duke krijuar një renditje. Nëse skuadrat do të ruajnë të njëjtin ritëm dhe rendiment si në vitet e mëparshme, atëherë mund të kemi një panoramë më të qartë për atë që do të ndodhë. Megjithatë, ky kampionat është ndryshe nga të tjerët dhe ka faktorë specifikë, të cilët mund të ndikojnë në klasifikimin e përgjithshëm.

BARÇA MBI REALIN

Nëse Reali i Madridit dëshiron të fitojë kampionatin spanjoll, atëherë duhet që të ndryshojë tendencën e viteve të fundit. Me 56 pikë, është larg Barcelonës 2 pikë. Pa dyshim, historia nuk flet pozitivisht për fundet e sezoneve të Zinedin Zidanit, të paktën në krahasimin me rivalët e përjetshëm.

HISTORIKU

Në 10 sezone, “Galaktikët” kanë dalë përpara Barcelonës vetëm në dy raste, duke llogaritur vetëm 11 javët e fundit. Ndodhi në sezonin 2015-2016 (33 pikë me 22) dhe në sezonin 2010-2011 (25 pikë kundrejt 22 pikëve). Por si për kuriozitet, në asnjë prej këtyre dy kampionateve nuk ka marrë titullin kampion.

Duke llogaritur vitet e tjera, Barcelona ka qenë dominuese në javët e fundit kundrejt “Galaktikëve”. Në shumicën e rasteve, katalanasit kanë dalë kampionë për pak pikë përpara Realit. Jo më kot, katalanasit kanë fituar shtatë nga 10 titujt e fundit në kampionatin spanjoll. Reali ka fituar vetëm 2 tituj, atë me Murinjon në sezonin 2011- 2012 dhe me Zidanin në vitin 2016-2017. Nëse statistikat do të përsëriten, atëherë Barcelona do të rikthehet të fitojë La Ligën.

1571315095_757784_1571315198_noticia_normal_recorte1

Nëse dy ekipet do të vazhdonin me këtë ecuri, atëherë do të ruanin pozitat aktuale deri në fundin e vitit. Por kjo gjë nuk i pëlqen Realit të Madridit dhe ai dëshiron që të ndryshojë historinë e dekadës së fundit. Do të tentojë ta parakalojë Barcelonën, por pse jo edhe ta barazojë. Në këtë moment do të futen në lojë dy ndeshjet direkte, të cilat janë në favor të Realit. Atëherë titulli do të qëndronte në Madrid.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"