Dueli me Besën, Dede pret 3 pikët: Presioni është te fituesi dhe aty ku investohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 9:56

Dueli me Besën, Dede pret 3 pikët: Presioni është te fituesi dhe aty ku investohet

Elbasani luan sot në fushën e Luzit ndaj Besës, në një sfidë ku do të kërkojë fitoren për të ruajtur hapin e kryesuesve. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshje, trajneri i Elbasanit, Nevil Dede, i gëzohet faktit se skuadra është në gjendje të mirë, përtej disa problematikave të vogla.

dede

”Ekipi vjen i plotë dhe nuk kemi dëmtime, përveç Bobit që para dy-tri ditëve bëri analizat në lidhje me një pneumoni. E gjithë pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e shëndetshme edhe pse realisht na shqetëson pak Hila për disa problematika të vogla. Besoj që deri nesër (sot) do të jetë gati për ndeshjen. Hida do edhe një javë kohë për t’u rikuperuar nga ai dëmtim i rëndë që ka kaluar pas operacionit në gju. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe djemtë janë gjatë gjithë kohës në fokus për të bërë më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.

BESA –Dede nuk i druhet asgjëje përpara kësaj ndeshjeje, por kërkon vetëm të kihet parasysh se përpara është një ekip tradite dhe se do të jetë një lojë e fortë. ”Mbi të gjitha ne duhet ta respektojmë Besën e Kavajës, meriton respekt për emrin dhe historinë që ka bërë. Të mos harrojmë se vjen pas disa humbjesh radhazi dhe realisht nesër (sot) na pret një lojë shumë e fortë me dyluftime. Dihet që do të luajmë në Luz dhe për mua nuk mund të gjejmë alibi apo justifikime për gjendjen e fushës apo çdo gjë tjetër. Fusha është e barabartë për të dy ekipet. Jemi në fokusin e duhur dhe duhet menduar se është një ndeshje shumë e luftuar dhe e ashpër sportivisht”, vijoi më tej Dede.

PRESIONI –Trajneri i Elbasanit pohon se presioni është gjithnjë tek ekipet që pretendojnë. Sipas tij, kur je fitues të lind e drejta edhe për të qenë i pari në fund. “Për sa i përket presionit, gjithnjë skuadrat në të cilat investohet shumë dhe pretendohet që janë më të mirat e kampionatit, kanë presionin e tyre, sepse duan të fitojnë ndeshjet. Ky është presioni më i madh që ka skuadra jonë. Me cilësitë dhe CV-të që kanë lojtarët, me investimet që ka bërë klubi dhe presidenti, atëherë presioni është, që t’i duhet të marrësh gjithmonë maksimumin dhe të jesh fitues. Të mos harrojmë që është një garë e vështirë dhe e fortë. Besa do pikët e saj për të arritur objektivat minimale, por në fund fare ne mbi të gjitha duhet të respektojmë veten tonë më shumë se sa respekti qe kemi për kundërshtarin. Ndeshjet janë me radhë dhe nuk luan dot dy apo tri ndeshje njëherësh. Që jemi një ekip i mirë dhe unë jam krenar që punoj me këta lojtarë, grup dhe klub, kjo është e vërtetë. Kur jemi mirë, edhe unë jam i lumtur dhe patjetër që pretendojmë dhe aspirojmë, por mbi të gjitha me gjithë këto që thashë më lart ne duhet të jemi fitues. Kur je fitues gjithmonë më pas të lind e drejta për të qenë i pari”, e mbylli trajneri Nevil Dede.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"