“Dua kthesën me Egnatian”, Gvozdenoviç “shkund” skuadrën: Mjaft kemi gabuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2023 | 10:00

“Dua kthesën me Egnatian”, Gvozdenoviç “shkund” skuadrën: Mjaft kemi gabuar

Skënderbeu duhet të lerë pas dy humbjet ndaj Laçit dhe Vllaznisë, teksa sot në 17:00 pret Egnatian kryesuese. Korçarët luajnë përsëri në shtëpi në këtë fillim faze të dytë dhe përballë do të kenë një nga skuadrat më të forta të kampionatit.

gvozdenovic

Në konferencën për shtyp para këtij takimi, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, ka analizuar me kujdes ndeshjen ndaj Vllaznisë, duke evidentuar gabimet e ekipit dhe kërkuar që të mos përsëriten të njëjtat situata edhe në ndeshjen e radhës.

“Pas dy humbjeve radhazi në ndeshjet e luajtura kundër Laçit dhe Vllaznisë mendoj se tani është momenti kur hapat falsë janë të ndaluar dhe duhet të reagojmë. Duhet të reagojmë jo vetëm sa i përket rezultatit, por edhe për atë se çfarë lojtarët tanë duhet të tregojnë në fushën e lojës. Kritikat për lojën qëndrojnë në ndeshjen me Laçin dhe më pak me Vllazninë, pasi takimi u ndikua nga një karton i kuq në momentin kur ne po kontrollonim sfidën. Më pas gjithçka u bë e vështirë. Erdhi dhe ai gol i pafat dhe ndeshja shkoi ashtu”, ka thënë fillimisht trajneri i Skënderbeut.

KRITIKAT – Sa i takon ndeshjes së radhës me Egnatian, rrogozhinasit gëzojnë një formë të mirë dhe sigurisht që për Skënderbeun nuk ka për të qenë aspak e lehtë.

Bardhekuqtë kanë nisur prej ditës së hënë përgatitjet intensive dhe mësohet se trajneri Ivan Gvozdenovic ka kërkuar nga të tijtë përqendrim maksimal, si dhe shmangie të lojës individuale në momentet kur mund të ketë kombinacione kolektive.

Ai ka bërë gjithashtu thirrje që të ruhet qetësia dhe të shmangen kartonët, pasi në disa ndeshje korçarët janë penalizuar pikërisht nga ndëshkimi i lojtarëve me kartonë.

“Unë e kam përsëritur që në momentin e parë që përgjegjësia dhe suksesi është i të gjithëve pa përjashtim, nga unë i pari. Normalisht që kemi studiuar ndeshjet e luajtura dhe kam dhënë këshillat e mia karshi lojtarëve. Duhet të tregojmë më shumë përqendrim dhe vlerësim për ndeshjen në çdo minutë të takimit. Kam folur me lojtarët përsa u përket problemeve që kemi shfaqur dhe kjo është situata.

Duhet të shohim se si do të reagojmë ndaj Egnatias. Problem për ne mbeten edhe kartonët që i kemi të shumtë në numër, ndaj edhe për këtë kam kërkuar kujdes nga lojtarët në fushë. Gjithçka mendoj se do të rregullohet”, përfundoi trajneri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"