Dita e listës/ Rikthime në sulm e mbrojtje, ja risitë e Silvinjos për miqësoret me Kilin dhe Suedinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 8:30

Dita e listës/ Rikthime në sulm e mbrojtje, ja risitë e Silvinjos për miqësoret me Kilin dhe Suedinë

Kombëtarja shqiptare është pranë rikthimit në “aksion”, këtë muaj për miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Takime që do të jenë teste shumë të rëndësishme në përgatitjet për Europianin e qershorit. Ditën e sotme, Silvinjo do të publikojë listën me futbollistët që do të grumbullohen për këto miqësore, ndërkohë nesër paradite trajneri do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të flasë edhe për zgjedhjet e tij.

Shqiperia

Gjithsesi, dy emra mund t’i quajmë risi në listën e brazilianit, rikthimi i Rei Manajt në ekipin kombëtar fiks pas dy vitesh, teksa ndeshja e fundit që sulmuesi ka zbritur në fushë për ngjyrat kuqezi ka qenë ajo e 29 marsit 2022, në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë.

Manaj ka bërë një sezon fantastik në Turqi me Sivasporin ku deri tani ka shënuar 19 gola, 15 në kampionat dhe 4 në Kupë. 27- vjeçari pritet të ftohet për herë të parë nga Silvinjo që “i detyruar” nga forma e jashtëzakonshme e Reit, nuk mund ta lerë jashtë. Të dy kanë punuar bashkë tek Interi vite më parë.

Në Kombëtare do të rikthehet edhe Armando Broja. Sulmuesi ka mbetur jashtë ndeshjeve eliminatore të Europianit për shkak të një dëmtimi të rëndë ku u detyrua të qëndronte për 8 muaj jashtë fushave. Edhe pse Broja po kalon një moment të vështirë në Angli me Fullhemin ku nuk po merr minutat e pritshme.

Silvinjo beson te cilësitë e 22-vjeçarit dhe e ka ftuar për këto miqësore dhe gjithashtu e sheh si pjesë të rëndësishme për Europianin e Gjermanisë.

Të dy sulmuesit pritet që të jenë pjesë e listës në grumbullimin që do të nisë ditën e hënë dhe seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, e quajtur ndryshe selia e FSHF-së.

MUNGESAT

Për shkak dëmtimi, në listë nuk do të jetë Ardian Ismajli. Mbrojtësi po vijon rikuperimin pas dëmtimit që pësoi në sfidën me Milanin dhe duhet minimum 4 javë kohë që ai të rikthehet në fushë. Kështu, me shumë mundësi në listë do të përfshihet Marash Kumbulla.

Qendërmbrojtësi i mungon Kombëtares që prej marsit të vitit të kaluar, në humbjen me Poloninë në Varshavë. Kumbulla ka luajtur vetëm disa minuta me Sasuolon, por pritet që Silvinjo t’i rezervojë një vend në listën e këtyre dy miqësoreve.

200

AGJENDA

Sot publikohet lista e lojtarëve, ndërsa pas ndeshjeve të fundjavës me klubet respektive, të hënën kuqezinjtë do të nisin grumbullimin në Tiranë, ku grupi do të jetë i plotë. Pas tri ditësh përgatitje, në datën 21 ekipi do të niset drejt Parmës.

Një ditë më vonë, në stadiumin “Ennio Tardini”, Shqipëria do të luajë miqësoren ndaj Kilit. Ndërkohë, një ditë pas ndeshjes, skuadra do të zhvillojë një seancë të lehtë stërvitore dhe më pas do të niset direkt për në Stokholm.

Më datën 25, duke nisur nga ora 19:00, në stadiumin “Friends Arena”, ekipi i Silvinjos do të përballet me Suedinë vendëse e cila ka emëruar së fundmi në stol, ish-lojtarin e njohur danez Jan Dal Tomason.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"