Dede: Fundi mbahet mend, çudi festë pa tifozët elbasanas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 13:45

Dede: Fundi mbahet mend, çudi festë pa tifozët elbasanas

Elbasani pret të festojë sot në “Elbasan Arena”, por festa do të jetë “silencioze” brenda stadiumit, për shkak të dënimit të tifozëve. Për këtë arsye, ka edhe një detyrë ekstra për të marrë maksimumin ndaj Apolonisë dhe mos iu gëzuar thjesht sigurimit të elitës.

Dede

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshje, trajneri Nevil Dede pohon, se arritja në Superiore nuk ndryshon asgjë për skuadrën në javët e mbetura dhe ritmi nuk duhet të ulet aspak. Ai thekson se luftën më të fortë Elbasani e ka pasur me veten e tij, për të shkuar në finish me mendësinë e duhur. Në fund, tekniku ka edhe një mesazh për ata lojtarë që ndoshta janë në dilemë për sezonin e ardhshëm.

Dede, si vjen Elbasani para ndeshjes me Apoloninë?

Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh edhe faktin që jemi në vend të parë dhe të gjithë mundohen të japin mbi maksimumin për të treguar se çfarë mund të bëjnë përballë më të mirit. Besoj se skuadra ndihet mirë dhe mbi të gjitha entuziazmi dhe harmonia është në pikën e duhur. Kemi dy problematika që na shqetësojnë, Telushi me Hilën, por kjo nuk do të thotë që grupi nuk ka forcë. Na vjen keq që nuk janë për momentin, por shpresojmë t’i rikuperojmë.

Do ndryshojë gjë për ju sigurimi matematikor i Superiores?

Aspak. Unë mendoj që duhet të sillemi si profesionistë dhe të vërtetë me veten tonë. Edhe kur luajmë në një ndeshje miqësore bëjmë maksimumin dhe duam të japim më të mirën, si në një ndeshje kampionati. Është e papranueshme në qoftë se dikush mendon se ka mbaruar matematikisht edhe mund të ulë ritmin e garës. Nuk besoj se në grupin tonë ka djem që mendojnë ashtu, por gjithsesi ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe gjithë javën kemi folur vetëm për këtë arsye.

Festë pa tifozë në stadium, çfarë do të thotë kjo për Elbasanin?

Për ne është hera e parë dhe edhe vetë jam kurioz të shoh se si do të sillet skuadra. Unë do të mundohem që ata të bëjnë më mirë, sikur janë tifozët, por në fund fare ata e kanë në dorë, sepse luajnë në fushë. Nuk ndjehesh mirë kur e ke stadiumin bosh, por duhet të tregojmë që realisht jemi skuadër që i meritojmë ata tifozë me kulturën e tyre dhe etikën që ata përcjellin në stadium. Normal që ka edhe individë që nervozohen më shpejt dhe një nga kjo situatë i ka hequr të drejtën një qyteti të tërë të vijë të na shohë, të shijojë dhe festojë me.

Më e fortë lufta për ngjitjen apo kjo për vendin e parë?

Kur fillon gara, të gjithë janë me zero pikë. Shumë ekipe investuan dhe ishin shumë seriozë. Kampionati është një maratonë e gjatë që ka shumë pengesa rrugës. Rëndësi ka të jesh i qartë në qëllimet që ke dhe të arrish në destinacionin final me formën dhe mendësinë e duhur, kjo është lufta më e madhe që grupi ynë ka. Ne duhet të jemi gjithnjë të njëjtët dhe të vërtetët. Unë kam një shprehje, që skuadra ime apo lojtarët që unë kam stërvitur edhe më herët, e dinë. Fundi gjithnjë mbahet mend. Nuk mban mend njeri se çfarë është bërë në shtator apo tetor. Fundi mbahet mend për shumë arsye, edhe tregu të vlerëson si një bursë që vlerëson çdo kënd. Unë jam i bindur se djemtë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë, si edhe ne si staf bashkë me ta. Besoj se ata do të japin më të mirën që ne të vazhdojmë me sa më shumë njerëz nga ky grup dhe sa më gjatë.

PA TIFOZË PËR SHKAK TË DËNIMIT – AF Elbasani do të festojë matematikisht ngjitjen në Superiore, por vetëm. Tifozët nuk do të jenë të pranishëm në stadium, pasi ata janë të dënuar 4 javë. Në takimin me Lushnjën ofenduan miqtë dhe disiplina i ndëshkoi katër javë, ndërsa apeli refuzoi kërkesën e verdhebluve. AF Elbasani ngjitet për herë të parë në Superiore, ndërsa Elbasani i vjetër i kishte fituar dy tituj në vitet 1984 dhe 2006.

elb

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"