De Bur: Objektivi i Interit janë 9 pikët në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2016 | 10:48

De Bur: Objektivi i Interit janë 9 pikët në shtëpi

Vigjilja e ndeshjes të Ligës së Europës ishte e qetë për Frenk De Burin, i cili habiti gazetarët kur tregoi se cili ishte objektivi i Interit në këtë kompeticion. Mes të tjerash, holandezi garantoi se të gjithë ishin të fokusuar te dueli me Hapoelin, edhe pse të dielën në “San Siro” do të paraqitej rivalja e betuar.

de bur

“Tulipani” nuk u zhbalancua sa i përket formacionit, pasi njoftoi se ende s’u kishte komunikuar futbollistëve të tij se kush do të ishin 11 të përzgjedhurit për sfidën e sotme.

Sa rëndësi ka një fitore tjetër në Ligën e Europës për t’i dhënë vazhdimësi triumfit në “Adriatico”?

Është e qartë se duam që të fitojmë. Do të ishte maksimumi nëse pas fitores që morëm përballë Peskarës të korrnim një tjetër triumf edhe në Ligën e Europës. Ne duam që t’i fitojmë të gjithë takimet që do të luajmë në shtëpinë tonë. Objektivi ynë në Ligën e Europës është që të grumbullojmë 9 pikë prej ndeshjeve që do të zhvillojmë në “San Siro”.

Çfarë dini për Hapoel Be’er Shevan?

Jemi informuar mirë. Ditët e sotme, falë teknologjisë, nuk është e vështirë që të mësosh gjithçka edhe rreth rivaleve që i takon për herë të parë. Ne e respektojmë Hapoelin, pasi ata u paraqitën mjaft mirë edhe përballë Olimpiakosit e Sëlltikut të Gllasgout.

de bur

Shtypi tregon se jeni fokusuar më shumë te dueli me Juventusin.

Absolutisht jo. Është normale që të flitet shumë për takimin e së dielës, por ne jemi përgatitur edhe për duelin e parë në Ligën e Europës. Ne duam që t’u tregojmë tifozëve se e kemi marrë seriozisht këtë takim duke bërë një lojë të mirë nesër (sot). Nëse do të fitojmë, hedhim një hap të sigurt drejt kualifikimit.

Çfarë ju ka kënaqur më shumë nga suksesi në Peskara?

Kemi krijuar shumë shanse për gol dhe një gjë të tillë duhet që ta bëjmë gjithmonë. Gjithsesi duhet që të përmirësohemi dhe nuk duhet që t’u japim shumë hapësira rivalëve. Në Peskara kemi rrezikuar shumë.

A mund të jetë Ikardi lideri i këtij grupi?

Për mua ka shumë rëndësi që të kem në grup lojtarë si Mauro. Handanoviç, për shembull, ishte deciziv të dielën. Unë them se të gjithë duhet që të tregojnë forcën e tyre në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje.

Kush do të luajë?

Nuk mund të them asnjë emër, pasi ende nuk ua kam komunikuar lojtarëve vendimin tim.

Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"