Çyrbja: E mundim Tiranën, ja diferenca e Kukësit me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2018 | 23:02

Çyrbja: E mundim Tiranën, ja diferenca e Kukësit me Teutën

Kukësi afroi në merkaton e verës një nga lojtarët më të dalluar të Superiores, mesfushorin e Teutës, Arbër Cyrbja, i cili i ka kushtuar rreth 100 mijë euro presidentit Gjici. Kukësi ndeshet ndaj Tiranës e 3 pikët janë objektivi kryesor për të. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 24- vjeçari kërkon fitoren e parë me Kukësin dhe pret që të arrijë objektiva të mëdha me nënkampionët. Çyrbja tregon diferencën ndërmjet Kukësit.

cyr

Fitorja ndaj Tiranës, a i risjell qetësinë?

Nuk arritëm dot të fitonim në dy ndeshjet e para, por besoj se kemi mësuar nga disa gjëra të bëra jo mirë ndaj Laçit dhe Flamurtarit, ndaj tani jemi gati për të marrë fitoren e parë. Patjetër që presim tri pikët, të cilat do të na sjellin dhe qetësinë. Kemi mundësi për më shumë e jam i bindur që do e shfaqim lojën tonë në fushë, duke parë punën e mirë që bëjmë në stërvitje. Ne dhe Tirana jemi me nga një pikë dhe do kërkojmë të dyja tri pikët, por besoj shumë që do dalim ne me fitore.

Kukësi a i druhet Tiranës?

Kemi respekt për Tiranën, ashtu siç kemi respekt për të gjitha ekipet e tjera që ndeshemi. Të gjitha ekipet janë të forta e luftojnë fort për objektivat e tyre, e njëjta gjë vlen për Tiranë dhe për ne. Nuk i druhemi Tiranës apo ndonjë kundërshtari tjetër të veçantë. Shikojmë punën tonë dhe kemi detyrim të marrim pikët për të arritur objektivin kryesor, titullin kampion.

A ka diferenca Teuta me Kukësin?

Diferenca nga Teuta te Kukësi është se këtu, në çdo ndeshje, hyn për tri pikët dhe objektivi kryesor çdo vit është fitimi i titullit kampion. Secila ka specifikat e veta dhe mënyrën e vet të të luajturit, por natyrisht Kukësi është një ndër dy klubet më të forta në Shqipëri dhe këtë e ka treguar në këto 6 vitet e fundit.

A jeni përshtatur plotësisht me Kukësin?

E di që te Kukësi presin shumë nga unë. Akoma nuk jam adoptuar plotësisht, pasi kam pak kohë te Kukësi dhe shokëve të ekipit do t’u duhet pak kohë të mësojnë lojën time, siç do më duhet dhe mua pak kohë të njoh lojën e tyre. Tani është vetëm fillimi, unë kam besim te vetja dhe te shokët e ekipit e lojërat e mia të mira do vijnë shpejt, pavarësisht se në të gjitha ndeshjet që jam aktivizuar kam bërë maksimumin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"