Champions e pilaf, Eskuerdinja: Po përjetoj ëndrrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2015 | 19:14

Champions e pilaf, Eskuerdinja: Po përjetoj ëndrrën

EskuardinjaPo përjeton një ëndërr me Skënderbeun. Për të parën herë po luan ndeshje në Champions League, por ka edhe shansin që të shkojë në fazën e grupeve. Ka lënë mbresa të mira në dy ndeshjet ku është aktivizuar, madje edhe pse ka luajtur jashtë pozicionit të tij të zakonshëm, sërish ka ditur t’i mbulojë mirë detyrat. Fransisko Duarte, ose, siç njihet ndryshe, Eskuerdinja, në konferencën e parë të dhënë për mediat si lojtar i korçarëve, ka rrëfyer gjithçka, madje edhe ushqimin e tij të preferuar, pilafin.

Eskuerdinja, si po shkon aventura te Skënderbeu?

Të them i kënaqur është pak, pasi jam më shumë se i lumtur. Të them të drejtën, nuk e prisja që të ishte kaq mirë. Skënderbeu ka një skuadër shumë cilësore, ka futbollistë profesionistë, po luajmë në Champions, kemi pretendime të mëdha në Europë e synim është edhe titulli i gjashtë kampion radhazi. Më mirë se kaq nuk mund të gjeja një skuadër larg Brazilit. Po përjetoj javë vërtet të lumtura me ekipin tim të ri.

Jeni aktivizuar në tri ndeshje deri tani, një si zëvendësues dhe dy të tjera si titullar…

Unë që kur erdha te Skënderbeu, erdha me mendimin që të luaj e të jap më të mirën. Pastaj, nëse e nis si titullar apo si rezervë, kjo pjesë i takon veçse trajnerit.

Dy brazilianë ka Skënderbeu, ju dhe Ademiri. Si ndiheni me patriotin tuaj në ekip?

Absolutisht që ndihem shumë mirë. Pothuajse gjithë ditën qëndroj me të, më mëson ndonjë fjalë shqip, por është shpejt për ta mësuar shqipen. Gjithsesi do të përpiqem. E falënderoj shumë Ademirin që edhe ai po më qëndron vërtet shumë pranë.

Hera e parë që luani në Champions League?

Po, është e vërtetë që luaj për herë të parë në një eveniment kaq të madh futbollistik në Europë. Emocionet janë më shumë se të mëdha, ndërkohë që do t’ju thosha se më ka bërë përshtypje se shumë njerëz i qëndrojnë pranë Skënderbeut dhe, përveç kësaj, kjo skuadër ka një tifozëri të mrekullueshme. E kisha ëndërr diçka të tillë vite më parë, por ja që sot gjithçka është realitet.

Te Skënderbeu ka shumë lojtarë që duan formacionin. Ju tremb konkurrenca?

Askush nuk trembet nga konkurrenca. Janë një grup vërtet i madh lojtarësh që meritojnë të jenë në formacion, por një skuadër super si Skënderbeu duhet të ketë kualitet edhe në stol. Prandaj të gjithë luftojnë për një vend. Kjo i bën mirë skuadrës. Shumicën e kohës keni qëndruar në “Tropikal”, por edhe në Korçë.

Si e kaloni ditën dhe çfarë ushqimi ju ka bërë përshtypje?

Po, është e vërtetë që shumicën e kohës kemi qëndruar në “Tropikal” dhe unë mendoj se është një resort i shkëlqyer. Kam provuar të gjitha gatimet shqiptare dhe ushqimi që më pëlqen më shumë është pilafi. Janë ambiente të shkëlqyera, si në Durrës, por edhe këtu në Korçë, dhe absolutisht kjo më bën të ndihem më mirë. Ditën e kaloj me stërvitje e më pas me Ademirin preferojmë edhe ndonjë lokal. Këtu kam ardhur vetëm për futboll dhe mendoj gjatë gjithë ditës vetëm për futbollin.

Flisni shpesh me të afërmit tuaj në Brazil dhe çfarë u keni thënë për Shqipërinë?

Flas çdo ditë me të afërmit e mi. Ata më pyesin çdo ditë si kaloj dhe si dal në stërvitje. Më kanë parë edhe në ndeshjet që kam luajtur dhe ndihen krenarë për atë që kam dhënë deri tani. U kam folur vetëm të vërtetat për Shqipërinë e u kam thënë që te Skënderbeu më duan shumë. Skënderbeu ka fituar 2-0 në Moldavi.

Një fitore më shumë se e merituar?

Sigurisht që ka qenë një fitore e madhe dhe më shumë se e merituar. Ne nuk e njihnim kundërshtarin, por ishim të bindur që do t’ia dilnim sepse jemi një grup shumë i mirë lojtarësh. Bëmë thjesht lojën tonë dhe arritëm të shënonim dy gola, por mund të kishim shënuar edhe më shumë se aq, pasi shanset i kishim të mëdha. Gjithsesi morëm atë që dhamë në fushë e jemi krenarë për këtë.

Si e mendoni ndeshjen e kthimit në Elbasan?

Do të jetë hera e parë që do të luaj në stadiumin më të mirë shqiptar dhe kam dëgjuar që do të ketë shumë tifozë për të na mbështetur. I ftoj të mos mungojnë sepse ne do të japim më të mirën e do të kalojmë më tej, për këtë ju garantoj.

Nëse Skënderbeu kualifikohet në grupet e Europa League, çfarë synimesh ka Eskuerdinja?

Synimin që ka e gjithë skuadra. Të shkojmë sa më larg. Dhe ne do të shkojmë sepse jemi një grup e luajmë shumë mirë, gjë që e kemi treguar edhe në ndeshjet e Champions-it. Unë jam në shërbim të klubit e të skuadrës dhe të gjitha synimet që ka klubi unë premtoj si lojtar që do të jap maksimumin tim të mundshëm.

Sa larg e shikoni këtë Skënderbe dhe mendoni se me këtë grup do të fitojë edhe titullin e gjashtë kampion radhazi?

Me këta tifozë që ka skuadra, me këtë president, me këtë staf teknik do të shkojmë vërtet larg. Unë jam këtu që të vazhdojmë rrugën e titujve kampionë. Së fundi, dua të them diçka. Falënderoj Perëndinë, Skënderbeun e gjithë tifozët duke më mbështetur maksimalisht dhe u them që të presin shumë më shumë nga Eskuerdinja, sepse ky është vetëm fillimi për mua te kjo skuadër kaq e madhe, që quhet Skënderbeu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"