Çështja e privatizimit, dy klubet vlonjate debat në Këshillin Bashkiak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2021 | 8:52

Çështja e privatizimit, dy klubet vlonjate debat në Këshillin Bashkiak

Privatizimi i klubeve të futbollit të Vlorës zbret sërish në Këshillin Bashkiak. Kjo çështje ka ngjallur debate në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe ka qenë Agron Gjipali që ka tërhequr vëmendjen e bashkisë për procesin e vonuar.

flamurtari pogradeci

“Në dëgjesën publike për sportin që kemi bërë para disa kohësh, kemi thënë që detyrimisht bashkia duhet të fillojë privatizimin se sipas ligjit të ri të sporteve mbaron në shtator. Çfarë është bërë?”, ka thënë sekretari i Këshillit Bashkiak. Drejtori i Financave në bashki, Taullah Zanaj, ngriti një tjetër shqetësim. Ai sheh se po veprohet me dy standarde me dy klubet e qytetit, sa u përket fondeve:

“Pse mbani dy qëndrime të ndryshme ju? Pse veproni ndryshe për Flamurtarin dhe ndryshe për Orikun? Është bërë vendimi i privatizimit. Pse nuk është hedhur asnjë hap? Kujt ia kërkoni arsyet ju, financës dhe bashkisë? Ne punojmë me vendime dhe e kemi zbatuar korrektësisht vendimin tuaj. Nëse merrni vendim, nga 1 shtatori e në vazhdim, nuk ka më financim për Orikun”. Ndërkaq, ka qenë një kërkesë e këshilltarit Teki Xhemali për vazhdimin e financimit të Orikut që ka ngjallur edhe debate.

FL

Administrata e bashkisë ka marrë në konsideratë kërkesën e këshilltarit Anduel Tahiraj për ndërprerjen e financimit për orikasit. Por bashkia kërkon që kjo gjë të diskutohet në këshill dhe këshilltarët të vendosin për më tepër. Xhemali ka kërkuar që të vazhdojë pjesa tjetër e palikuiduar prej 4 milionë lekësh të rinj nga 13 milionë lekë të rinj të miratuar nga këshilli më 28 dhjetor.

Teki Xhemali iu drejtua këshilltarëve: “Sa është fondi që është financuar për Orikun? Me një të rënë të ‘sëpatës’ nuk bëhet. Ne kemi një aktivitet që është financuar për kaq vite dhe janë harxhuar dhe financuar për atë aktivitet. I hedhim poshtë me një të rënë të sëpatës. Më thoni procedurën e privatizimit. Nëse nuk bëhet procedura e rregullt që të dalin vlerat, nuk shkon kjo gjë”, tha ai. Ndërkaq, Këshilli Bashkiak ka vendosur që kjo çështje të shqyrtohet në një mbledhje tjetër, pasi kërkohet që të shprehet edhe kryetari i bashkisë, Dritan Leli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"