Bylisi rigjen fitoren me Eminin dhe Maçolli, lojtari i Kastriotit përfundon në spital

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 14:38

Bylisi rigjen fitoren me Eminin dhe Maçolli, lojtari i Kastriotit përfundon në spital

Bylis rikthehet te fitorja, duke mposhtur Kastriotin 2-0. Golat e Eminit dhe Maçollit u kanë dhënë 3 pikët mallakastriotëve, ndërsa skuadra mike pati raste, por pa mundur të konkretizojë.

bylis kastrioti

Bylisi nuk e vuri për asnjë moment në diskutim fitoren dhe rezultati mund të ishte më i thellë. Edhe pse me mungesa, skuadra ballshiote tregon se ka kualitet.

PJESA E PARË – Bylisi nuk kishte në këtë ndeshje për shkak dëmtimi Krasniqin, Xhefersonin dhe Trumçin. Luajtën nga fillimi Toska dhe Papa, me të parin që rrezikoi pas 2 minutash Malajn. Bylis sulmon dhe Papa gjuan bukur, por e ndal shtylla. Kundërpërgjigjen krutanët me një kundërsulm të Pjetrit, që hyn në zonë dhe pason për Kapllanin që gjuan, por Beqaj shpëton portën. Lajthia gjuan bukur pasi shmang një mbrojtës dhe sërish Malaj bën heroin. Vetëm 2 minuta më pas Emini godet shtyllën e djathtë, por do të shënojë në minutën e 23-të, pas një gabimi në qendër të mesfushës mike dhe asistit të Papës. Në pjesën e parë krutanët patën edhe një rast me Mehmetllarin, por pa rezultat. Akordohen 5 minuta shtesë për këtë pjesë dhe në fundin e tyre Maçolli dyfishon shifrat, pasi i driblon të gjithë mbrojtësit miq.

DËMTIMI I HOXHËS – Edmond Hoxha i Kastriotit dëmtohet rëndë në një dyluftim dhe kjo bën që të ndërpritet loja. Një çarje në ballë e detyron lojtarin të largohet nga fusha me autoambulancë, pasi merr ndihmën e parë. Delegati Kalleshi thërret stafet për ndërprerjen e takimit derisa të mbërrinte autoambulanca. Duartrokitje për lojtarin mik, që ishte i vetëdijshëm, por shkoi për mjekim të specializuar në spital. Loja rinis pas 5 minutave dhe në vendin e Hoxhës është Shabanaj.

PJESA E DYTË – Bylisi hedh në fushë Levendin, Berishën dhe Xhordan Lajthinë, Ndërsa skuadra krutane aktivizon Kirin në vend të Malajt në portë. Metani provon të shkëputet në të minutën e 60-të nga e majta e sulmit, por e mbyll Xhordan Lajthia. Bylisi kërkon ta mbyllë ndeshjen, aktivizon Oukare në vend të Ruçit. Ka një rast ideal në të 75′, kur Berisha dhe Lajthia kombinojnë bukur në zonë, por edhe pse të vetëm përballë portierit, shpërdorojnë. Krutanët janë të pafat, pasi godasin shtyllën. Shabanaj në minutën e 90-të provon nga distanca dhe Beqaj bën mrekullinë, duke e devijuar topin në korne. Bylisi rikthehet te fitorja, ndërsa krutanëve u ka munguar edhe fati në këtë ndeshje.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"