Bylisi nuk dorëzohet për kreun e Kategorisë së Parë, me Korabin rrezikojnë 3 titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 20:08

Bylisi nuk dorëzohet për kreun e Kategorisë së Parë, me Korabin rrezikojnë 3 titullarë

Seancat anti-Korabi kanë nisur dje pasdite për ballshiotët. Kjo sfidë do të luhet në Ballsh këtë fundjavë. Stafi mallakastriot ka zbritur të dielën në fushën e stërvitjes në kompleksin “Bylis”, me ata lojtarë, të cilët nuk luajtën asnjë minutë dhe lojtarët që luajtën si zëvendësues.

BYLIS

Pas fitores në Lushnjë, Bylisi konfirmoi formën e mirë, edhe pse kishte mungesa të rëndësishme. Goxhaj, Trumçi dhe Souza janë lojtarë të konsideruar me “peshë” në radhët e skuadrës mallakastriote, por nuk dihet nëse ata do të jenë apo jo gati për sfidën e radhës në shtëpi me dibranët.

ANALIZË – E hëna ka nisur me një analizë për sfidën e fundit, ku Bellai ka përgëzuar djemtë për lojën e mirë dhe stabilitetin që skuadra ka rifituar në lojë, por edhe në rezultat. Diferenca me Elbasanin vazhdon të jetë dy pikë, ndërsa shpresat për vendin e parë në Ballsh janë mjaft optimiste. Skuadra mallakastriote i pret në shtëpi kryesuesit, që kanë një kalendar të vështirë në vijim. Në sfidën ndaj Korabit, trajneri Arian Bellai pritet që të hedhë në fushë më të mirët, duke e vlerësuar në maksimum duelin e radhës në “Adush Muçaj”. Ballshiotët në sfidat e mbetura do të bëjnë kujdes edhe për kartonët, në mënyrë që t’u shmangen edhe taktikave të ekipeve kundërshtare dhe në finalen e fund sezonit të jenë me “ekuipazh” të plotë.

 

Sfida e U-21/ Bellai nuk i kursen lojtarët

Para sfidës me Korabin, stafi ballshiot do të testojë një pjesë të lojtarëve të ekipit të parë në takimin që U-21 do të luajë ndaj Tiranës. Kjo taktikë vlen edhe për të mbajtur në formë kontigjentin në këto javë të fundit, kur edhe mbështetja e tifozëve pritet të jetë më e madhe. Këta të fundit nuk kanë munguar edhe në Lushnjë, për të mbështetur ekipin, që në fund ia shpërbleu me një fitore të çmuar.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"