Blendi Nallbani: U martova i ri se më thonin: Merre o “Tatë”, se pastaj do ngelesh thatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2013 | 14:42

Blendi Nallbani: U martova i ri se më thonin: Merre o “Tatë”, se pastaj do ngelesh thatë

NallbaniBlendi Nallbani është një nga ato personazhe që shpesh ekrani ia ndjen nevojën. Batutat e tij kënaqin këdo, dhe të gjithë ata që e njohin nga afër e dinin se në “Dancing With The Stars”, humori natyral që ka do e bënte edhe më të suksesshëm. E mbushur me batuta ishte dhe kjo bisedë për “Bluetooth”, ku ai rrëfen detaje nga jeta e tij dhe nga eksperiencat e shumta, që nisin me muzikën, vazhdojnë me sportin dhe lulëzojnë në politikë. Së fundmi, portieri Nallbani po merr pjesë në “Dancing With The Stars”, një format që më shumë sesa për vete, e dashuron për të tjerët. Me seriozitet na rrëfen se kënaqet shumë kur shikon që në Shqipëri bëhen spektakle që ua largojnë njerëzve mendjen nga “hallet”. Në fund po ju themi se kjo që do të lexoni është një intervistë mjaft interesante, por shumë më e bukur do të ishte nëse do të shkruhej ashtu siç “Tata” flet, si një ‘tirons i vjetër’.
Si ishin ditët e para në “Dancing”? Si të dukeshin provat?
Dy javët e para nuk shkova në prova fare, se si më dukej. Pastaj më kujtohej që, kur shihja Foto Strakoshën atëherë që kërcente, thoja “Po ky mo, as vesh për muzikë s’ka. Ça i boni vetes”.
Po tani që je vetë pjesë, çfarë thua?
Tani i them vetes: Ça i bone vetes o Tate (qesh).
Domethënë i ke ndjekur edicionet e mëparshme… E mendoje atëherë që mund të merrje pjesë vetë?
Asnjëherë, kurrë! Megjithëse e kam ndjekur tre vjet me shumë dëshirë. Po të ishte për të kënduar, do e kisha qa, po me kërcimin është e vështirë. Unë edhe kam studiuar për muzikë, nga klasa e parë në klasën e katërt. Kam mësuar piano tek shkolla që sot quhet “Servete Maçi”. E lashë pianon se më tërhiqte topi. Lija shkollën dhe shkoja fshehurazi luaja futboll. Normalisht që haja dru nga baba, se dihet që dajaku ka dalë nga xheneti. Pastaj nuk kishin ç’të më bënin dhe më lanë të zgjidhja vetë. Kështu që unë këndoj shumë mirë dhe keni për ta parë. Edhe po më eliminuan, do t’i them që do shkoj prapë vetëm që të këndoj. Nuk iki nga “Dancing” pa e bërë një duet me Jonida Maliqin.
Si të duket “Tata” brenda një gare vallëzimi?
Është diçka jashtë natyrës sime. Kur shkojmë nëpër festa e nëpër dasma jemi më të lirshëm. Kurse të kërcesh në skenë është tjetër gjë. Po mundohem, po është një gjë e re dhe shumë e vështirë ta bësh në perfeksion. E di që e kam shkel pak me anëtarët e jurisë, e ndoshta me ato batutat e mia mund të dukem pak i rëndë, po me thënë të drejtën e bëj edhe për të dalë nga sikleti. Unë e kam parë Alfred Kaçinarin tek “Ethet” atëherë kur i fliste atyre të rinjve që këndonin, ose vetëm ngrinte dorën pa folur fare, dhe më pëlqente.
Po tani që bën të njëjtën gjë edhe me ty, si të duket?
Eh, ke vetja jote s’të vjen mirë.
Çfarë të kanë thënë shokët pasi të kanë parë në vallëzim; të kanë tallur?
Jo, me thënë të drejtën. Këtu tek lagjja ime më kanë thënë që, edhe po s’kërceva mirë, e mbuloj me pjesën e batutave e të humorit. Po unë e di që e kam shkel një çikë me jurinë, dhe u kërkoj falje (qesh). Madje u them: Jeni njoni më i bukur se tjetri. Nuk e përsëris më!
Pas sa javësh parashikon që mund të eliminohesh? Apo do fitosh?
Për të fituar, s’kam shanse e as që e kam menduar. Po deshën le të më heqin, po me sa po kuptoj, nuk duan të më heqin, më duan aty me zor (qesh).
Shkon çdo ditë në prova? A janë të lodhshme?
Patjetër që shkoj rregullisht në prova. Isida, balerina ime është shumë e zonja, por tepër kërkuese. I thashë një ditë: “Të mësoj unë balet, është si të të jap topin ty ta mbash dhjetë herë me këmbë”. “E mbaj”, – më tha (qesh).
Isida është edhe një nga balerinat më të bukura; sa me fat ndihesh?
Unë ndihem me fat se është balerinë e mirë, se pjesën e së bukurës nuk e shoh fare, unë kam çunin sa mosha e Isidës. Zoti dhe fati deshi që unë të martohesha i ri dhe çunin e kam 22 vjeç.
Pse u martove aq shpejt?
Se mbaronin gratë e s’kishte të tjera. Më thonin “Mere o tatë, se ngele thatë”, dhe unë e mora (qesh).
Kush do e fitojë “Dancing”?
Dëgjo tani, që të jem i sinqertë deri në fund e ta them tullë, Flaka dhe Arjoni. As Blend Nallbani, jo. I jam shumë mirënjohës producentes Holta Dulaku, jo vetëm që më bëri mua pjesë të këtij show, por sidomos për faktin që ajo e bën këtë spektakël kaq të bukur. Në këtë periudhë të vështirë, me të gjitha hallet e sikletet që kanë njerëzit, kanë nevojë për një show televiziv si ky.
Ti je baba i dy djemve… Edhe ata kanë ëndërr sportin si ti?
Kur ishte 18 vjeç, djali im luante në ekip të parë dhe ka qenë ndër rastet e rralla të botës që babë e bir luanin në një fushë. Unë portier, ndërsa im bir mesfushor i Tiranës.
POLITIKA
Tani na sqaro pak, je socialist apo demokrat?
Nga demokrat u ktheva në socialist, sepse Edi Ramën e njoh nga afër që në ’86-ën kur ishte basketbollist. Ai është një nga njerëzit më të mirë e më të drejtë që njoh, dhe ndonjëherë mendoj që nuk duhet të jesh edhe kaq i drejtë.
Pra miqësia me Ramën të bëri të kthehesh nga demokrat i flaktë në socialist?
Po, falë Edi Ramës unë u bashkova me Partinë Socialiste.
Po sot, jeni ende miq? Takohesh me të?
Edi Rama, në çdo moment që unë mund ta marr në telefon, ai e hap.
Po ai, të merr ty në telefon?
Edhe ai më merr në telefon dhe unë ia hap. Dhe, kur i përgjigjem, nuk i them as “z. kryeministër” apo “z. kryetar”, po direkt “O Edo”. Këtu duket njerëzillëku i tij.
Shumë thonë që ai është pak tip i sertë…
Mund të duket kështu, por po ta njohësh nga afër është krejt ndryshe.
Si është?
Është rob Zoti!
Si e ke përjetuar ti, dilemën e madhe të këtyre ditëve në Shqipëri për çështjen e armëve kimike?
Lidhur me këtë, dua të them se më vjen shumë keq që po ndodh pikërisht tani. Pse duhej t’i ndodhte këtij kryeministri dhe pse tani…? Të tilla gjëra mund të kenë ndodhur dhe më parë, dhe ne nuk kemi marrë vesh gjë. Këto ditë, ju them me sinqeritet që nuk më ka zënë gjumi vetëm nga sikleti, jo prej armëve, po për fatin e keq që kjo situatë e vështirë i ndodhi një burri shteti, një njeriu të mirë si ai. Ai për mua është ndër demokratët e parë, më demokrat se Berisha e se shumë të tjerë.
Si ka mundësi që dikur ke qenë tërësisht i djathtë?
Nuk jam vetëm unë që kam ndryshuar. Goditjen e parë, një ish-komunisti të Bllokut si Berisha, ia dha Kavaja e Lazarati dhe më pas edhe njësia numër 8 në Tiranë. Unë komunist nuk jam. Jam me demokracinë, por jo me Partinë Demokratike.
Flasim pak për Tironën, kryeqytetin… Ti je nga ata tironsit e vjetër që nuk i duan të ardhurit, “tironsit e rinj”?
Tirona ka qenë shumë e bukur, por, ashtu si të gjitha kryeqytetet e botës dhe metropolet e mëdha, edhe ky qytet u mbipopullua. Megjithatë tironsit janë njerëz shumë bujarë e mikpritës. Po përveç dyndjes së njerëzve, problemi ka qenë se me Tironën vitet e para është abuzuar shumë. Kujtoj këtu Tironën e para disa viteve dhe “Lanën” që ishte pushtuar. Ishte Edi Rama që i nxori faqen në dritë këtij qyteti dhe e bëri këtë që është sot.
SPORTI
Ku kalon pjesa më e madhe e ditës tënde?
Mua më do aq shumë lagjja, sa juve s’jua merr mendja, kështu që pjesa më e madhe e ditës sime kalon me miq, shpesh me Refik Halilin tek “Vila Goldi”, që është një nga miqtë e mi më të mirë, të cilit i jam shumë mirënjohës për ndihmën e madhe që më ka dhënë. Ai dhe zonja Shefikat Ngjela më kanë dhënë një ndihmë të madhe që nuk ua harroj dhe ndaj dua të përfitoj për t’i falënderuar. Që t’i kthehem pyetjes, unë zgjohem nga gjumi më këndezin e parë dhe ulem për një kafe të mirë. Jam tip popullor, nuk lë njeri të fusë dorën në xhep kur ulet me mua në tavolinë dhe kam një shoqëri shumë të madhe, megjithëse s’ta jap përshtypjen kështu nga pamja (qesh).
Me sport, nuk merresh më fare?
Shkoj në palestër tri herë në javë.
Të merr malli për fushën e futbollit?
Kam lujt aq shumë, saqë as më bie ndërmend fare.
Cili është defekti më i madh i Kombëtares Shqiptare?
Mungesa e eksperiencës. Ne e fillojmë shumë mirë me ndeshjet e grupeve, e mbajmë mirë deri në një farë pike, pastaj çdo gjë shkon në gen.
ADELAJDA XHAMANI  (Bluetooth/BalkanWeb)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"