“Besa ekip me traditë, duhet vigjilencë kundër tyre”, kapiteni Karakaçi: Kreu, detyrim për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 11:47

“Besa ekip me traditë, duhet vigjilencë kundër tyre”, kapiteni Karakaçi: Kreu, detyrim për Elbasanin

Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të sfidës me Besën, që do të luhet nesër në fushën e Luzit. Një ndeshje që në kampin verdheblu është vlerësuar maksimalisht, pasi jo pak herë përgjatë këtij sezoni kanë hasur vështirësi ndaj kundërshtarëve që luajnë për mbijetesë.

karakaci

Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” kapiteni Abaz Karakaçi, i cili pohon se ekipi do të hyjë në fushë për të marrë tri pikët. “Ndonjëherë ndeshje të kësaj natyre bëhen shumë të vështira dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Për më tepër që Besa është një ekip tradite dhe që këtë fazë është përforcuar disi. Ne e kemi të qartë punën tonë, vlerësojmë maksimalisht çdo kundërshtar, por në fund duam tri pikët”, u shpreh fillimisht mesfushori i Elbasanit, i cili u bashkua në verë me verdheblutë.

VIGJILENCA – Në vijim të fjalës së tij, 31-vjeçari thekson se pikërisht në këtë fazë të kampionatit, ekipi nuk duhet të cedojë, por të vijojë me ecurinë pozitive që ka pasur. “Jemi të ndërgjegjshëm që ndodhemi në një pikë të kampionatit ku duhet të jemi shumë vigjilentë. Synimi është që të vijojmë me këtë ecuri që kemi pasur deri tani, pasi kështu jemi të sigurt në rrugën drejt ngjitjes. Deri tani i kemi marrë ndeshjet një e nga një dhe me këtë synim do të ecim gjithnjë. Me pak fjalë, ne mendojmë javë pas jave dhe hap pas hapi, pa bërë llogaritë”, vijoi më tej kapiteni i Elbasanit.

RIVALËT – Në fund, sa i përket Bylisit para tyre dhe ndjekësve nga pas, Karakaçi pohon se Elbasani nuk ka hequr dorë nga vendi i parë dhe nuk fle i qetë sa i përket vendit të dytë. “Së pari, nuk mendojmë aspak për Bylisin para apo të tjerët pas. Ne nuk kemi hequr dorë nga vendi i parë dhe do ta tentojmë deri në fund. Është një detyrim qe ne e kemi ndaj presidentit, stafit, tifozëve dhe gjithë qytetit. Por, për aq kohë sa nuk e kemi siguruar ngjitjen matematikisht, nuk mund të bëjmë gabimin që ta konsiderojmë të sigurt edhe vendin e dytë. Me këtë dua të them që ne deri në fund do bëjmë maksimumin tonë dhe të shohim pastaj se cilin objektiv kemi arritur”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën mesfushori i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"