Berati në këmbë, ndaj Skënderbeut si finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2012 | 11:19

Berati në këmbë, ndaj Skënderbeut si finale

Në Berat duket se gjithçka po bëhet gati për një festë të madhe, teksa të gjithë fansat janë ngritur në këmbë. Afrimi i sfidës me Skënderbeun po afron edhe përfundimin e përgatitjeve të tifozërisë së Tomorit për këtë supersfidë, e cila do të jetë edhe e para në fushën e tyre për këtë vit. Përgatitja e ultrasve beratas ka nisur prej më shumë se një muaji, ku nga njëra anë jo vetëm kanë mbledhur fonde për dekorimin në këtë sfidë, por nga ana tjetër i kanë sensibilizuar qytetarët për një qëndrim korrekt në shkallët e stadiumit. Madje, një gjë e tillë i është bashkuar edhe kërkesës së vetë klubit, të cilët kanë kërkuar që fansat të jenë sa më të qetë gjatë zhvillimit të ndeshjes me Skënderbeun dhe ta kuptojnë atë si një finale, që do të kthehet në një festë. Kjo, duke pasur parasysh faktin se do të bëhet edhe inaugurimi i fushës së re dhe i sistemimit të stadiumit. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që e ka detyruar Tomorin gjatë fazës së parë t’i zhvillojë takimet jashtë fushe. Ndërkaq, përpjekja e parë e ultrasve beratas ishte grumbullimi i fondeve në shkollat e mesme të qytetit dhe në qendër të tij. Nga fondet e tyre, tifozët e Tomorit kanë krijuar banderolën “Ultras Tomori 1 ëndërr, 1 dëshirë, 1 besim”, e cila do të hapet ditën e ndeshjes në tribunën përballë, ku edhe do të jetë edhe vendi i ultrasve këtë sezon. Ndryshe nga ato të shkuarat kur vendoseshin në tribunën qendrore. Gjithashtu, tifozët janë duke bërë përpjekjet maksimale, me qëllim që për atë sfidë stadiumi të ketë një dekor spektakolar.
Pritja – Në Berat, ndeshja e së dielës prej kohësh pritej dhe mund të jetë një ndër rekordet e grumbullimit të tifozëve në stadiumet shqiptare. Ka një pritshmëri të madhe dhe mendohet se rreth 12 mijë fansa do të jenë në atë sfidë, në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës. Ndoshta edhe vetë kalendari duket si i ndërtuar “me dorë” për Tomorin, për ta përballur me sukses sfidën me kampionët në fuqi, Skënderbeun. Fansat beratas mendohet të organizohen që në orën 12:00 në qendër të qytetit, dhe për t’u nisur mandej më pas bashkë drejt stadiumit, duke pritur nga ekipi i tyre që të zhvillojnë një ndeshje të ngjashme me atë në fillimin e kampionatit në Korçë. Ata shpresojnë që rezultati ti japë të drejtë Tomorit për ta kthyer qytetin në një ditë feste.

Shifrat e fansave, jehonë në shtypin turk
Në rastin e ndeshjes inauguruese të stadiumit “Tomori”, pikërisht më 15 maj 1985, midis skuadrës vendëse dhe Kombëtares shqiptare, shifrat e tifozëve beratas në stadium bënë jehonë të madhe edhe në shtypin turk. Madje, asokohe një gazetë turke shkroi se duke pasur parasysh numrin e tifozëve në stadium dhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së Beratit, tregon se ¼-ta e qytetit ishte e pranishme në shkallët e stadiumit. Ndërkohë, ndeshja hapëse e fazës së dytë, në Berat përkon edhe me inaugurimin e fushës së re të stadiumit “Tomori”, ku ekipi vendës përballet me atë të Skënderbeut. Takimi do të zhvillohet ditën e diel në orën 14:00.

REKORDET E STADIUMIT “TOMORI”
1985 Tomori – Kombëtarja Shqiptare 16.500 spektatorë
1986 Tomori – Apolonia 14.200 spektatorë
1991 Tomori – Tirana 15.200 spektatorë
1999 Tomori – Teuta 15.000 spektatorë

Thirrje klubit, kërkohet hyrje falas për tifozet femra
Për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës, në një sfidë të vështirë siç është ajo me Skënderbeun, fansat beratas u kanë bërë ftesë edhe femrave për të qenë të pranishme në stadiumin “Tomori”. Një gjë e tillë u është shprehur edhe drejtuesve të klubit beratas. Madje, fansat u kanë kërkuar krerëve beratas që t’i lejojnë të hyjnë falas në stadium, me qëllim që të ndryshohet paksa “look-u” maskilist, pse jo, që një gjë e tillë të kthehet në një traditë të përhershme edhe në ndeshjet e mëvonshme. Kështu, pritet që ndeshja e parë për këtë vit e Tomorit, ajo ndaj Skënderbeut, të përkojë edhe me inaugurimin e stadiumit dhe të kthehet në një festë të vërtetë.
ELTON ÇELA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"