Bellai: Çdo ekip gabon, koha që Bylisi të reagojë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 10:49

Bellai: Çdo ekip gabon, koha që Bylisi të reagojë ndaj Kastriotit

Bylisi-Kastrioti do të luhet sot në orën 14:00 në “Adush Muçaj”. Në prag të kësaj sfide me krutanët, për “Panorama Sport” ka folur trajneri Arian Bellai, i cili pas disfatës në Burrel kërkon kthimin te fitorja. Trajneri pohoi se skuadra e tij nuk dorëzohet për kreun.

Arian Bellai, trajneri i Bylisit

Në Burrel pësuat humbjen e katërt, por jeni në lojë për titullin…

E kemi analizuar ndeshjen me detaje duke ua bërë të ditur të gjithë lojtarëve që luajtën se ku gabuam. Duhet të fitonim në Burrel. Humbja erdhi vetëm për fajin tonë, edhe pse në fund ishte një episod penalltie. Vendi i parë është më shumë se kurrë në lojë, sepse janë gjashtë ndeshje, ndërkohë që luajmë me Elbasanin në fund në shtëpi.

Të dielën prisni Kastriotin, si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Në ndeshjen e radhës luajmë me një kundërshtar që vjen me oreks për pikë, por ne kemi synimet tona. Duhet të fitojmë patjetër dhe lojtarët të bëjnë më të mirën e tyre. Të qetësohemi psikologjikisht dhe më pas të mendojmë për të rimarrë kreun. Nuk ka ekipe të pagabueshme.

Sërish me mungesa e rikthime, sa ndikojnë këto?

Javët e fundit, sidomos në disa ndeshje vendimtare, na kanë munguar lojtarë kyç. Kam besim se lojtarët do të japin më të mirën. U bë kohë që janë pjesë e Bylisit, duhet ta kuptojnë rëndësinë e kalendarit.

Si është kalendari në krahasim me rivalët?

Nuk jam marrë dhe deri në fund nuk dua të merrem, se në dy fazat e para kemi qenë perfekt. Të njëjtët kundërshtarë ishin, kështu që duhet të shtrëngojmë dhëmbët e të jemi sa më të karikuar në çdo ndeshje. Kam besim se do t’ia dalim të realizojmë synimet që kemi këtë sezon. Jam krenar për djemtë e mi dhe kjo ma shton më shumë atë kënaqësinë e të qenurit trajner i Bylisit. Në fund, besoj se do të jetë një bilanc më i mirë. Unë kam besim se do të jetë në anën tonë.

A janë mbyllur hesapet me vendet e poshtme dhe rivalët që ju ndjekin?

Derisa matematika të lejon të shpresosh, nuk mendoj se është mbyllur asgjë. Për më tepër që luhen ndeshje direkte. Ndaj, duhet të jemi të përqendruar dhe të vazhdojmë punën.

bylis

ERION SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"