BASKETBOLL FEMRA/ Goditje e trefishtë, Tirana i kthen reston Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2022 | 9:59

BASKETBOLL FEMRA/ Goditje e trefishtë, Tirana i kthen reston Partizanit

Vetëm pak javë më parë u mbyll sezoni, por basketbolli i femrave ka nisur punën për edicionin e ri, atë 2022-2023.

AIDA PALKO

Skuadrat kanë filluar përgatitjet në parket, ndërsa nuk mungojnë as goditjet e para në merkato.

Me Mirela Lugajn që iu bashkua Partizanit, Tirana u ka kthyer reston të kuqeve, duke veshur bardheblu plot tri lojtare të rivaleve. Kështu, Tirana ka zyrtarizuar afrimet e Aida Palkos, Dajana Barajt dhe Ebi Dishnicës.

Bëhet fjalë për lojtare me shumë eksperiencë, të cilat pritet ta rrisin ndjeshëm kualitetin në kampin bardheblu.

Pas disa sezonesh, ku paraqitej me një ekip shumë të ri në moshë, Tirana tanimë ka vendosur që t’i besojë më shumë eksperiencës, ndërsa në klub bëjnë të ditur se ekipi pritet që të afrojë edhe një lojtare të huaj për pozicionin e qendrës.

Duke u kthyer te goditja e trefishtë, Tirana do të ketë tashmë në dispozicion shërbimet e Aida Palkos, një prej lojtareve më të mira të kampionatit në edicionin e kaluar.

DAJANA BARAJ

Ndonëse 38-vjeçare, Palko ka mbyllur një sezon fantastik, ndërsa duket disi i çuditshëm fakti që Partizani nuk e përfshiu në planet e sezonit të ri basketbollisten gjirokastrite, duke u ndalur te mosha dhe jo te rendimenti në parket.

Ndërkohë, organizatorja Dajana Baraj dhe Ebi Dishnica, ndonëse patën oferta nga të kuqet, zgjodhën që të përqafonin projektin bardheblu. Tashmë Tirana ka nisur punën për një sezon ku kërkon që të ketë rolin e protagonistes kryesore.

Këtë e konfirmon edhe trajnerja Mirza Alibegaj.

EBI DISHNICA]

Ish-basketbollistja e mirënjohur, tashmë prej vitesh në rolin e trajneres, deklaron:

“Në kampionatin në vijim Tirana ka për qëllim të jetë konkurruese për trofetë e këtij sezoni, në ndryshim me vitet e fundit.

Për këtë qëllim në këtë sezon sportiv janë bërë ndryshime, duke afruar në ekip lojtare cilësore vendore, si Aida Palko, Dajana Baraj dhe Ebi Dishnica, të cilat me eksperiencën e tyre duke iu bashkangjitur lojtareve të reja të ekipit tonë do t’i japin një frymë të re ekip”, thotë shkurtimisht trajnerja Alibegaj.

Kështu, sporti i koshit te femrat ka nisur lëvizjet e para, teksa parashikohet një sezon i nxehtë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"