Basketboll femra/ Flamurtari marshon në krye, Partizani dhe Tirana në ndjekje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 18:50

Basketboll femra/ Flamurtari marshon në krye, Partizani dhe Tirana në ndjekje

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka zhvilluar të shtunën katër ndeshjet e javës së 11-të, një javë ku nuk u shënuan surpriza. Pas suksesit në Kupë dhe startit me humbje në Ligën Unike, Flamurtari i është rikthyer fitoreve në kampionat, teksa nuk e kishte aspak të vështirë ndaj Barletit të vendit të fundit.

basket femra

Fitore në transferta për Tiranën dhe Partizanin, respektivisht kundër Vllaznisë dhe Teutës. Gjithçka e thjeshtë për Studentin në takimin ndaj Elbasanit.

BARLETI-FLAMURTARI –

Ashtu sikurse pritej transferta e kryeqytetit ndaj Barletit rezultoi një formalitet për kampionet në fuqi, një takim i dominuar tërësisht nga skuadra vlonjate. Flamurtari fitoi me rezultatin e thellë 33-87 (3-27, 4-20, 16-27, 10-13). Diferencat e bregdetareve me vajzat e reja universitare ishin të jashtëzakonshme, me vlonjatet që shkuan në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë 7-47. Miket e ulën disi ritmin në pjesën e dytë, duke aktivizuar edhe lojtaret e stolit, për ta mbyllur sfidën me +54 pikë avantazh. Lojtarja e ndeshjes ishte Asia Henderson, autore e 21 pikëve, 19 kërcimeve dhe 2 asistimeve për Flamurtarin. Për Barletin pikëshënuesja më e mirë ishte kapitenia Neda Uka me 13.

VLLAZNIA-PARTIZANI –

Të kuqet nuk falën në transfertën e Shkodrës, duke e mundur Vllazninë me rezultatin 54-76 (6-21, 17- 20, 13-21, 18-14). Partizani e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke krijuar një epërsi prej 15 pikësh që në periodën e parë, për ta menaxhuar qetësisht lojën deri në fund. Kapitenia Ornela Lalaj me 14 pikë, 12 kërcime dhe 2 asistime kishte rendimentin më të lartë në radhët e Partizanit, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer nga Bernarda Rreshpja, autore e 32 pikëve, 8 kërcimeve dhe 6 asistimeve. Me këtë fitore Partizani ruan pozitat në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Tiranën.

TEUTA-TIRANA –

Vajzat bardheblu morën një sukses me vlera, teksa mposhtën Teutën në Durrës me rezultatin 66-74 (18- 23, 15-16, 18-19, 15-16). Sfida e zhvilluar në Pallatin e sportit “Ramazan Njala” ishte tepër interesante dhe dhuroi rivalitet gjatë të gjithë kohës, por skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj u tregua më e saktë në të katërta fraksionet e lojës, duke dalë me suksesin e merituar nga kjo transfertë. Për sa i përket statistikave individuale, Enisa Qosja ishte lojtarja MVP e ndeshjes, duke udhëhequr Tiranën me 25 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime. Për Teutën rezultatin më të lartë e shënoi Xhulia Velias, autore e 12 pikëve, 4 kërcimeve dhe 3 asistimeve.

STUDENTI-ELBASANI –

Skuadra studentore regjistroi suksesin e katërt në kampionat, teksa në ndeshjen hapëse të javës së 11-të mundi lehtësisht Elbasanin në Pallatin e sportit “Asllan Rusi” me rezultatin 65-31 (17-11, 13-6, 20-2, 15-12). Studenti ishte superior në të katërta periodat, ndërsa për t’u veçuar ishin 10-minutëshi i dytë dhe i tretë, me skuadrën elbasanase që shënoi gjithsej vetëm 8 pikë. Me 20 pikë, 10 kërcime dhe 4 asistime, Megi Spahiu ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes, duke udhëhequr ekipin kryeqytetas në këtë sfidë. Për Elbasanin, e vetmja që mbërriti në kuotë dyshifrore pikësh ishte Bora Kasa me 12 pikë, ndërkohë që u aktivizua më pak se 10 minuta.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"