Bashkia e Vlorës jep 0 lekë për Flamurtarin, Oriku kërkon miliona. Kushta: S’bëhet me qoka kjo punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2023 | 23:45

Bashkia e Vlorës jep 0 lekë për Flamurtarin, Oriku kërkon miliona. Kushta: S’bëhet me qoka kjo punë

Për të nëntin vit radhazi, Bashkia e Vlorës jep “zero” lekë për klubin e futbollit Flamurtari. Ka qenë në fakt vetë administratori Sinan Idrizi, i cili ka refuzuar që të pranojë fonde të këtij tipi dhe institucionit vendos i ka ardhur përshtat.

SOKOL KUSHTA

Në mbledhjen më të fundit të Këshillit Bashkiak ku u miratua buxheti për vitin 2023, nuk ishte planifikuar asnjë qindarkë për ekipin e parë të futbollit. Në buxhetin prej më shumë se 2 miliardë lekësh, bashkia nuk kishte as zërin për ekspertin e privatizimit të klubit, një fond prej 10 milionë lekësh të vjetër, që thuajse e ka miratuar rregullisht në vitet e fundit. Por me sa duhet edhe privatizimi ka mbetur në mes.

ORIKU – Ndërkaq, në Bashkinë e Vlorës ka mbërritur një kërkesë nga klubi i Orikut, që kërkon një fond prej 180 milionë lekësh. Kërkesa është prezantuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga kryetari i Komisionit të Financave dhe Ekonomisë, Grigor Dede, kërkoi të rishikohet kërkesa për në buxhetin shtesë që pritet në muajt në vijim. “Në buxhetin shtesë të shikohet mundësia dhe çfarë të plotësohet nga kërkesa e Orikut për një financim prej 18 milionë lekësh (të rinj) meqë aty është një komunitet shumë i madh sportdashësish. Kemi rreth dy vite që e kemi bllokuar fondin për Orikun. Të shikohet mundësia në buxhetin shtesë për plotësimin e kësaj kërkese”, u shpreh Dede.

DEBATET – Por kjo kërkesë dhe disa të tjera për sportet, kanë sjellë debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Legjenda e futbollit vlonjat, njëkohësisht këshilltar në Këshillin Bashkiak, Sokol Kushta, tha se duhet më shumë bashkëpunim për sportin.

“Mungon ai trekëndëshi i bashkëpunimit kur bëhet fjalë për një projektbuxhet për sportin. Sporti nuk është ekipi i Sokolit në futboll, apo ekipi i dikujt në mundje apo basketboll. Sporti është në tërësi. Fillon që nga bazat. Bashkia nuk duhet që të jetë një bashki, e cila të japë fondet si t’i quaj, fonde ‘vakëf’, quhet lëmoshë. Ngrihet Tekiu thotë dua 5 lekë, ngrihet Liljana dua 5 lekë. Qoka e parë, qoka e dytë, jo. Bashkia duhet të bëjë projekte për zhvillimin e sportit, nga shkollat, palestrat. Të stimulohen kampionët, por jo të vijë secili këtu e të thotë dua 5 lekë dhe urdhëro. Ata janë njerëz që preokupohen.

Shyqyr Zotit këtu në këshill ka njerëz që janë marrë me sport. Hajde të mblidhemi dhe të diskutojmë. Jo na vjen ne një letër këtu, do filani 5 lekë e do tjetri kaq lekë… Ky është turp. Për terrene sportive unë do ta ngrija dorën menjëherë. Por unë jam pjesë e një linje që nuk dua të dalë dru i shtrembët dhe të pengojë buxhetet dhe të ndikojë negativisht. Por ama, unë do të isha ‘pro’ ekipeve, por t’i stimulojmë me prova dhe jo të japim 5 lekë pa ardhur njeri të na thotë përse do të përdoren këto lekë. Për shembull, Sokol Kushta 10 milionë lekë për ekipin e paratërinjve se doli kampion në rajonin e fshatrave. Vlora nuk është rajonale. Ky është buxheti. Po nuk e vrave mendjen nuk mund të ndikosh pozitivisht në qytet”, tha Kushta.

Edhe kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Ardian Skëndaj, kërkon më shumë bashkëpunim kur bëhet fjalë për sportet dhe skuadrat e futbollit në Vlorë. “I keni katandisur që të qëndrojnë me sytë nga qielli pasi edhe njerëzit që e marrin përsipër nuk kanë atë fuqi që të investojnë aq shumë. T’u japim ndihmë, t’i ndihmojmë, t’u qëndrojmë pranë”, shprehet Skëndaj.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"