Aventura e çuditshme e Sançezit te Interi, dikur e paguante 4.5 milionë euro që të largohej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2023 | 21:21

Aventura e çuditshme e Sançezit te Interi, dikur e paguante 4.5 milionë euro që të largohej

Aleksis Sançez dhe Interi janë gati t’i thonë edhe një herë tjetër po njëri-tjetrit. Një vit pas lamtumirës së stuhishme të kompletuar me një telenovelë për pagesën e largimit, rrugët e sulmuesit kilian dhe zikaltërve kryqëzohen sërish. Një lëvizje që ka ngjallur reagime të ndryshme, si për mungesën e vazhdimësisë në tri sezonet si zikaltër, si dhe për largimin që erdhi mes polemikave.

SANCEZ

Për t’i përshëndetur 8 gushtin e një viti më parë, zikaltrit i paguan 4.5 milionë euro kilianit për të zgjidhur kontratën që i skadonte në qershor 2023. Aventurës si zikaltër i erdhi fundi pas 20 golave në 109 ndeshje në total dhe tre trofeve të fituara (titulli, Kupa e Italisë dhe Superkupa e Italisë). Karriera e tij vazhdoi te Marseja, ku Sançez gjeti vazhdimësinë, duke e mbyllur me 18 gola në 44 ndeshje.

HUAZIMI NË 2019-ën – Sançez kaloi portat e Apiano Xhentiles për herë të parë në qershor 2019 si huazim nga Mançester Junajtidi kur në stol ishte Antonio Konte. Kiliani shënon në ndeshjen e tij të parë kundër Sampdorias (dhe mori dhe një karton të kuq), por së shpejti fillojnë dëmtimet, 7 të tillë në tri vitet në Milano. Sezoni i parë i tij përfundon me 4 gola dhe 10 asistime në 32 ndeshje.

BLERJA – Interi vendos bast për Sançezin dhe e blen atë nga Mançester Junajtidi, duke e bërë të nënshkruajë një kontratë trevjeçare me vlerë 7 milionë euro në sezon. Fillimi i sezonit është ende i vështirë, mes dëmtimeve dhe stolit, ndërkohë që Konte ka gjetur çiftin perfekt “LuLa” dhe kilianin e pret pankina. Në janar gjithçka është gati për shkëmbimin me Xhekon, por asgjë nuk bëhet. Në fund të sezonit do të vijë titulli dhe kontributi i Sançezit është 7 gola dhe 8 asiste në 38 ndeshje.

SEZONI I FUNDIT – Interi humb Lukakun, por blen Xhekon nga Roma dhe për Sançezin është gjithmonë e njëjta histori: disa gola aty-këtu, dëmtime dhe pankinë. Tri momentet më ikonike janë të përqendruara në këtë sezon të fundit, pozitive dhe negative. Goli i fitores në Superkupën kundër Juventusit, topi i humbur në rastin e golit të Zhirusë në derbin që vendosi titullin dhe ai karton i kuq në “Anfield” fill pasi goli i Lautaros u kishte dhënë shpresë zikaltërve ndaj Liverpulit.

Më shumë fjalë sesa gola, si intervista e famshme pas Superkupës, në të cilën ai sulmoi Simone Inzagin për mungesën e minutave. “Ndihem si një luan në kafaz, kampionët janë të tillë. Kampionët bëjnë gjëra që të tjerët nuk i bëjnë, sa më shumë të luajnë aq më mirë janë. Nëse më lejojnë të luaj jam një përbindësh, pastaj zgjedh trajneri”, u shpreh një vit më parë Sançez, fjalë që nuk i lanë shije të mirë askujt dhe kontribuuan në lamtumirën e tij pas sezonit më pjellor të tij me 9 gola dhe 9 asiste

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"