Arteta si Fergi, Arsenali “mbreti” i fitoreve të vona. Vetëm në 15 ndeshjet e këtij sezoni kanë shënuar 6

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 19:09

Arteta si Fergi, Arsenali “mbreti” i fitoreve të vona. Vetëm në 15 ndeshjet e këtij sezoni kanë shënuar 6

Brenda hapësirës prej vetëm disa sekondash, në një natë të ftohtë të martën, Deklan Rajs papritmas ndriçoi parashikimin e javës së çdo tifozi të Arsenalit. Pasi e kishin udhëhequr ndeshjen dy herë, “topçinjtë” po shkonin drejt një barazimi zhgënjyes 3-3 me Lutonin në “Kenilworth Road”, përpara se një gol në minutën e 97-të nga Rajs të shkaktonte skena me të cilat po mësohemi gjithnjë e më shumë këto ditë.

ARTETA

Golat në minutat e fundit po bëhen një markë e Arsenalit të Mikel Artetës, që nuk vdes kurrë, dhe është një pjesë shumë e rëndësishme e ringjalljes së tyre në dy sezonet e fundit kur po rikthehen një kockë shumë e fortë. Që nga nisja e sezonit 2022-2023, Arsenali ka shënuar 13 gola në minutën e 84-t ose më vonë, gola prej të cilëve i kanë fituar 18 pikë në total, gjashtë prej të cilëve janë shënuar në vetëm 15 ndeshjet e këtij sezoni. Thonë se të shënosh vonë është fat, por skuadrat më të mira kanë gjetur gjithmonë një mënyrë për ta kthyer një pikë në tri, ose asnjë në një, në momentet e vdekjes së ndeshjes.

Nuk ka nevojë të shkohet më larg se Mançester Junajtidi i Sër Aleks Fergusonit. “Fergie Time” ishte një frazë e përdorur shpesh në mënyrë nënçmuese nga tifozët rivalë, të acaruar dhe ziliqarë për rekordin mbresëlënës të “djajve” për golat e vonë. Por skuadra e skocezit kishte një aftësi fantastike për të marrë rezultate nga hiçi. Në 20 vitet midis sezoneve 1992-‘93 dhe 2012-‘13, Junajtidi shënoi 81 nga 1627 golat e tyre pas 90 minutave, që përkthehet afërsisht në rreth pesë për qind. Ajo do të mbahet mend si një skuadër që refuzonte të dorëzohej dhe kjo është diçka që po bëhet gjithnjë e më e dukshme në Arsenalin e Artetës.

Në fakt, asnjë ekip i Premier Ligës nuk ka fituar ndonjëherë aq shumë ndeshje në një vit të vetëm kalendarik sesa Arsenali (pesë) në 2023. Dhe asnjë skuadër në sezonin 2023-2024 nuk ka marrë më shumë pikë pas minutës së 86-të (tetë). “Topçinjtë” kanë lënë gjithashtu dy pikë në pesë minutat e fundit, por kjo i lë ata me një diferencë neto prej gjashtë pikësh të fituara, së bashku me Uolvesin dhe Uest Hemin, në krye të tabelës.

Liverpuli ka fituar 5 pikë, Aston Vila 4, Junajtid 4 dhe Totenhemi 4, ndërsa Siti e gjen veten çuditërisht në vendin e 12-të, me -1 pikë. Kampionët në fuqi lejuan një barazim të vonë kundër Totenhemit, si edhe humbjen ndaj Arsenalit në atë fitore të madhe për “topçinjtë” në tetor.

0

Përgatiti: ANDROKLI DRALO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"