Artet marciale, “princi” Rama kampion bote

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2014 | 19:53

Artet marciale, “princi” Rama kampion bote

Smealinjo RamaNë një javë ku sportistët shqiptarë po nderojnë flamurin kuqezi me paraqitjet e tyre, një tjetër ka realizuar një arritje historike. Bëhet fjalë për Smealinjo Ramën, i cili jeton në Kanada prej vitesh, ku dhe ka mbajtur titullin e kampionit të padiskutueshëm vendës për arte marciale. Sportisti me origjinë nga Shkodra është përballur me Derrik Mehmen, në duelin për titullin e kampionit të botës, në peshat e rënda të WSOP. Edhe pse pritej të ishte një përballje shumë e vështirë, i ashtuquajturi “princi” ka mahnitur të gjithë të pranishmit, duke e mbyllur takimin në vetëm 51 sekonda. Gjithçka nisi me shkëmbime shqelmash nga ana e të dyve, por një seri e frikshme grushtesh njëri pas tjetrit prej Ramës bëri që Mehmen të gjunjëzohej në tokë i gjakosur dhe arbitri të mbyllte menjëherë ndeshjen. “Një mbyllje si Hulk”, shkruanin mediat ndërkombëtare, duke vlerësuar maksimalisht paraqitjen e Smealinjos. Në dhjetë ndeshje të nivelit maksimal të arteve marciale MMA, Rama ka arritur të fitojë nëntë takime dhe të cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj të këtij sporti në arenën ndërkombëtare. Aktualisht 22-vjeçari është duke shqyrtuar oferta nga SHBA dhe Holanda për të marrë pjesë në kampionatet e tyre për ushtrimin e këtij sporti. Në përfundim të çdo sfide, përfshirë edhe atë ku u shpall kampion bote, Smealinjo ka ngritur flamurin kuqezi, duke treguar rrënjët e tij. “Jam në një sport shumë të vështirë, që do përkushtim dhe vullnet të madh. Por, ndihem sikur jam i lindur për artet marciale dhe shumë i lumtur që në moshë kaq të re kam arritur të shpallem kampion bote. Kjo më frymëzon dhe motivon për të ardhmen”, ka deklaruar Rama. Sa i përket Shqipërisë, ai thotë: “Prindërit e mi kanë emigruar në Greqi dhe më pas në Kanada, por gjithnjë kemi folur shqip në shtëpinë tonë. Sigurisht që ndihem shqiptar dhe mbase ky fakt më ka bërë të jem kaq i fortë”, tha ai duke buzëqeshur. Sportet e forcës gjithnjë kanë nxjerrë kampionë nga Shqipëria dhe Rama është një prej atyre që po arrin majat më të lartë të këtij sporti, duke qenë kampion i botës që 22 vjeç. Është për t’u theksuar që ai garon në një disiplinë shumë të vështirë si ajo MMA, ku dhe ka arritur të triumfojë në WSOP, ku marrin pjesë elita e këtij sporti nga e gjithë bota. Vitet e fundit Rama ka qenë kampion i padiskutueshëm i Kanadasë, ndërkohë që është në tratativa për të garuar në kampionate akoma më prestigjioze, përfshirë atë të SHBA-ve. Një tjetër shqiptar që nderon flamurin kuqezi ndërkombëtarisht…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"