Arrihet akordi, Modriç te Reali brenda javës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:43

Arrihet akordi, Modriç te Reali brenda javës

Telenovela e Luka Modriçit po i afrohet fundit. Sipas shtypit madrilen, Reali i Madridit dhe Totenhemi pas shumë negociatash kanë arritur marrëveshjen për shumën e transferimit të fantazistit kroat në “Bernabeu” dhe zyrtarizmi i blerjes pritet të bëhet brenda kësaj jave. Presidentët Daniel Levi dhe Florentino Perez kanë rënë dakord që ta mbyllin marrëveshjen për 32 milionë euro, plus bonuset. Klubi anglez këmbëngulte se nuk do ta shiste mesfushorin 26-vjeçar për më pak se 45 milionë euro, por dëshira e lojtarit ka qenë vendimtare për të arritur marrëveshjen. Levi i ka thënë homologut të tij se PSG-ja ofronte 45 milionë eurot, por ai nuk mund të vepronte përkundër vullnetit të lojtarit, pasi Modriç kishte arritur prej javësh akordin me kampionët e Spanjës. Marrëveshja nuk do të zyrtarizohet deri në momentin që Andre Vilas Boas të ketë gjetur zëvendësuesin e asit të tij në “White Hart Lane”. Tekniku portugez dëshiron fantazistin e Portos, Mutinjon. Ai udhëtoi personalisht drejt Aveiros këtë të shtunë për ta parë në aksion ish-lojtarin e tij gjatë Superkupës së Portugalisë. Por “dragonjtë” kërkojnë 40 milionë euro për yllin e tyre dhe Levi nuk është gati të paguajë kaq shumë. Alternativa do të ishte mesfushori i Partizanit të Beogradit, Medo Kamara, i cili do të vinte në Londër për gjysmën e kësaj shume. Listës së gjatë të klubit të Spërsave i është shtuar së fundmi edhe mesfushori i Renes, M’Vila. “Unë jam një lojtar i klubit të Renesë dhe do të jap më të mirën nëse qëndroj këtu. Në Francë merkatoja mbyllet më 4 shtator. Nëse do më duhet të qëndroj për një tjetër sezon, do e bëj me kënaqësi, por nuk përjashtoj një largim të mundshëm”, – tha një ditë më parë 22-vjeçari për “Sport24”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"