Arbitri Alla i tërbon të gjithë, La Torre përplaset me tifozët. Njihuni me pikantet e Elbasani-Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 19:55

Arbitri Alla i tërbon të gjithë, La Torre përplaset me tifozët. Njihuni me pikantet e Elbasani-Flamurtari

“Panorama Sport” sjell pikantet e ndeshjes së djeshme Elbasani-Flamurtari.

bandicam 2024-02-04 17-51-36-805

– Për Nevil Deden ishte një ndeshje e veçantë, sepse përkonte me sfidën e 200 në pankinë. Para ndeshjes, ekipi i Elbasanit zhvilloi një ceremoni, me presidentin Kujtim Llupa, që i dorëzoi fanellën me numër 200. Në këtë ndeshje Dede ishte edhe me një look të ri, me një kapele në kokë.

– Pas 332 ndeshjesh në futbollin profesionist, mbrojtësi Hektor Idrizaj, i jep fund futbollit në fushë. Klubi i Elbasanit i organizoi një ceremoni enkas për ta nderuar. Ai tani do t’i bashkohet stafit të klubit elbasanas. Arbitri Alla harroi që Idrizaj nuk ishte lojtar në fushë, pasi para ndeshjes i kërkoi atij që të hiqte unazën. Por kur i thanë se po linte futbollin, ai bëri shenjë që loja të vazhdonte.

– Ashtu siç pritej, edhe në këtë ndeshje tifozët e Elbasanit nuk zhgënjejnë. Afro 4 mijë të pranishëm mbështetën skuadrën e tyre.

– Laver Alla tërbon tifozët elbasanas, teksa këta të fundit nuk përtypin dot ndërhyrjet e ashpra të lojtarëve vlonjatë dhe kryesori nuk nxirrte të verdhën.

– Edon Hasani dëmtohet në kokë pas një dyluftimi dhe detyrohet që të luajë i fashuar. Në pjesën e dytë mbetet i detyruar të lërë lojën i dëmtuar dhe në vend të tij aktivizohet Arsen Kasa.

– Në tribunën VIP nuk munguan as krerët më të lartë të dy klubeve, presidentët Kujtim Llupa dhe Sinan Idrizi. Si gjithnjë, i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili nuk humb asnjë ndeshje të Elbasanit.

– Sebastian La Torre përplaset me tifozët e Elbasanit në momentin që do dilte nga fusha për shkak të kartonit të kuq. Detyrohet ta fusë në dhomat e zhveshjes drejtori i Elbasanit. – Ardit Hila largohet mes duartrokitjesh nga fusha, duke marrë edhe përqafimet e trajnerit Nevil Dede.

– Eqerem Memushaj nuk i kursen ironitë në momentin e shkuarjes së gjyqtarit për të parë golin e anuluar në VAR. Duartroket në mënyrë demonstrative.

– Në fund nuk mungojnë protestat e miqve që rrethojnë arbitrin dhe kërkojnë llogari. Detyrohen forcat e sigurisë që ta mbrojnë dhe e shoqërojnë për në dhomat e zhveshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"