“Apolonia skuadër e dorëzuar, ‘play off’ një mundësi për elitën”, ish-trajneri Marjol Miho vlerëson afrimin e Mërgjyshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 13:14

“Apolonia skuadër e dorëzuar, ‘play off’ një mundësi për elitën”, ish-trajneri Marjol Miho vlerëson afrimin e Mërgjyshit

Marjol Miho është i bindur se Apolonia i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në Superiore nga “play off”-i. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri Miho thotë se Apolonia i ka bazuar shpresat vetëm te “play off”-i, si mundësia e vetme për t’u ngjitur në Superiore.

marjol miho

Emërimin e trajnerit Artan Mërgjyshi e vlerëson jashtëzakonisht, sepse ka pasur mundësinë të punojë vetë me të, e di shumë mirë se sa i aftë dhe profesionist është.

A e keni ndjekur Apoloninë në këtë sezon?

Të gjitha ndeshjet që Apolonia i ka luajtur në “Loni Papuçiu” i kam parë, pavarësisht angazhimeve që kam. Ndërsa ndeshjet jashtë Fierit, i kam parë vetëm kur janë transmetuar në televizion.

Si e shikon ish-trajneri Marjol Miho Apoloninë aktuale?

Apoloninë e shikoj si një skuadër tërësisht të dorëzuar dhe që e ka thuajse të pamundur arritjen e dy vendeve të para në renditje. Në njëfarë mënyre e ka përcaktuar vetë fatin e saj, por edhe është tërësisht e pafuqishme për të ndryshuar shumëçka. E vetmja mënyrë për t’u ngjitur në Superiore është duke kaluar përmes fazës “play off”.

2024-ta ka zbehur ndjeshëm shkëlqimin. Ku u gabua specifikisht?

Mund të jetë zbehur, mund të ketë edhe rënie si pasojë e mungesës së vazhdueshme të pikëve. Unë i qëndroj më së shumti dorëzimit, që ka ardhur që në muajt dhjetor-janar, duke kuptuar një herë e përgjithmonë se Apolonia nuk është mjaftueshëm e fortë për të arritur kreun. Me pozitat që ka aktualisht, është e qetë dhe komode duke i bazuar shpresat vetëm te “play off”-i.

Mërgjyshi u rikthye në Fier. Si e vlerësoni emërimin e tij si trajner?

Të tregohem i sinqertë, me profesor Tanin kam pasur mundësinë të punoj dhe e di shumë mirë se sa i aftë dhe profesionist është. Gëzoj konsideratë për Mërgjyshin, si njeri dhe profesionist. Ndaj, mendoj se është zgjedhje shumë e mirë dhe ndoshta më e zgjuara nga klubi.

Megjithatë, Apolonia është duke lënguar…

Për mendimin tim, Apolonisë i mungon përqendrimi dhe fokusi, kryesisht në ndeshjet e fundit. Si rrjedhojë, i mungojnë edhe pikët, të cilat po lihen me shumicë, brenda dhe jashtë fushe. Apolonia duhet të kishte shumë më shumë pikë duke qenë pretendente dinjitoze deri në fund për t’u ngjitur në Superiore. Megjithatë, duke qenë në pozita komode në fazën “play off”, vijnë edhe këto rezultate radhazi negative. Duhet shumë kujdes, sepse kjo mund të sjell një rënie të theksuar të paraqitjes, e ndoshta ky mund të jetë rreziku më i madh.

Keni ndonjë këshillë për skuadrën fierake?

Tani nuk ka më vlerë, sepse këshilla ime e vetme lidhej drejtpërdrejt me merkaton e janarit. Apolonia ka një grup lojtarësh shumë të mirë që me pak përforcime, veçanërisht aty ku “pikon çatia”, mund dhe do të ishte bërë një skuadër shumë e fortë.

 

 

Atëherë, si mund të ngjiten në Superiore?

Jemi të vetëdijshëm dhe me këmbë në tokë, që vetëm përmes “play off”-it mund të ngjiten në Superiore. Faza “play off”, ose mundësia e dytë, është një shans shumë i mirë dhe njëkohësisht shumë i vështirë për Apoloninë, si pasojë e specifikës, sepse luhet me një takim. Apolonia i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në Superiore nga “play off”-i.

HILMI SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"