Apolonia nis manovrat për Bylisin, zbulohet problemi i afrimeve të merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 22:35

Apolonia nis manovrat për Bylisin, zbulohet problemi i afrimeve të merkatos

Fitorja minimale me Luzi 2008 është arkivuar tashmë në Fier dhe dje në mesditë Apolonia ka zbritur në fushën stërvitore. Në fundjavë kalendari u ka rezervuar fierakëve një transfertë shumë të vështirë, përballë Bylisit kryesues. Seanca e djeshme stërvitore nuk ka zgjatur më shumë se 60 minuta dhe ka qenë më së shumti si një seancë shtrydhëse.

apolonia

Grupi i lojtarëve ishte i plotë, kësisoj u desh ndarja e skuadrës në katër grupe me nga 5-6 lojtarë për të vijuar me ushtrimet me top. Katër grupe në katër kuadrate të ndryshme me të njëjtin qëllim, qarkullimi i topit me një dhe dy takime. Nëse kryheshin plot 25 pasime, dy lojtarët në mes ishin të detyruar të bënin 5 pompa, një lloj shtyse kjo për të shtuar vështirësinë. Megjithatë, vështirësi patën vetëm tre lojtarët e huaj të ardhur vetëm pak ditë më parë.

Problemi i tyre lidhej drejtpërdrejt me gjuhën. Si përkthyes u erdhi në ndihmë, mesfushori Rubin Hebeja, por edhe vetë trajneri Artan Mërgjyshi, i cili i realizonte paraprakisht të gjitha ushtrimet, në mënyrë që të kuptoheshin mirë dhe të mos kishte ndalesa. Në minutat e fundit, iu kushtua kohë edhe korneve, përmes krosimeve në zonë ku lojtarë të caktuar morën porosi enkas për të mbuluar kundërshtarët. Atmosfera në kampin e fierak, në prag të derbit me ballshiotët, është pozitive dhe në harmoni të plotë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"