Apolonia me sytë nga vendi i 4-të, kthimi i Omerit vë në mendime stafin teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 13:29

Apolonia me sytë nga vendi i 4-të, kthimi i Omerit vë në mendime stafin teknik

Apolonia po i jep dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të sfidës që do të luaj nesër kundër Vorës në stadiumin “Loni Papuçiu”. E shtuna pritet me mjaft presion te fierakët, megjithëse ambienti është i qetë dhe në pamje të parë nuk e reflekton tensionin.

apolonia

Po të shikosh rezultatet e shkuara dhe renditjen, i bie që kundër Vorës nuk është një ndeshje e zakonshme apo radhe për fierakët, por nga ato që përcaktojnë fatet e sezonit. Së pari, me një fitore të mundshme kundër Vorës, Apolonia i jep mundësi vetes për të qenë pjesë e katërshes së parë, pasi diferenca me vendin e 4-t shkon në vetëm 2 pikë. Së dyti, fakti që vorakët nuk po kalojnë një formë të mirë në kampionat, shihet si një mundësi që duhet shfrytëzuar në Fier.

Arritja e vendit të 4-t ndikon te “play off”-i, pasi ke në favor faktorin “fushë” dhe pranimin e dy rezultateve. Stërvitja e djeshme nisi në orën 10:30 dhe stafi teknik është përqendruar vetëm te lëvizjet taktike të lojtarëve në fushë, duke u marrë dukshëm me formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër Vorës. Rikuperimi i plotë i Stefano Omeri duket se e ka vënë para një zgjedhje trajnerin Artan Mërgjyshi, i cili është parë i dyzuar mes rreshtimit klasik 4-3-3 dhe atij 4-2-3-1 që duket se e intrigon më shumë për shkak të forcës sulmuese.

Duke parë se fitorja është kërkohet më së shumti në kampin fierak, nuk do të ishte risi nëse Mërgjyshi zgjedh modulin e fundit si vendosje të ekipit nga minuta e parë. Megjithatë, seanca e sotme do të tregojë përfundimisht se cila do të jetë zgjedhja e trajnerit Mërgjyshi sa i takon modulit të lojës, por edhe emrave të veçantë teksa ka një balotazh të fortë mes Rakipajt dhe Omerit.

Ky i fundit është dukshëm më i avantazhuar, edhe për shkak të modulit të lojës 4-2-3-1 për ta nisur nga minuta e parë takimin. Për t’ia dalë mbanë, Mërgjyshi pritet t’i mbajë shpresat te reparti ofensiv, pasi edhe sukseset në javët e fundit kanë ardhur pikërisht nga sulmi. Në tri ndeshjet e fundit në shtëpi, Apolonia ka shënuar 5 gola dhe për aq kohë sa shënon rregullisht, rriten shanset për të triumfuar.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"