Apolonia kthehet te suksesi pas 73 ditësh, “çan” Luzin me penallti. Omeri: Fitore e vuajtur, por na çliroi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 23:29

Apolonia kthehet te suksesi pas 73 ditësh, “çan” Luzin me penallti. Omeri: Fitore e vuajtur, por na çliroi

Pas plot 73 ditësh, Apolonia është rikthyer te fitorja e shumëdëshiruar në kampionat. Ndeshja e javës së 19-të mes Apolonisë dhe Luzit 2008 u mbyll me fitoren minimale, 1-0, në favor të fierakëve, sukses i cili u arrit në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Omeri

Heroi i fierakëve rezultoi mesfushori Stefano Omeri, i cili ktheu në gol penalltinë e fituar nga sulmuesi Erald Maksuti në minutën 31.

Stefano Omeri u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke i dhnë tri pikët Apolonisë ndaj Luzit. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” Omeri u shpreh: “Fitore e vuajtur, por shumë e rëndësishme nisur edhe nga momenti jo i mirë që po kalonim. Sikur u çliruam dhe morëm frymë lirisht. Le t’u gëzohemi vetëm pikëve të plota, që bëjnë diferencën e madhe në tabelën e renditjes.

Ishim ‘të dënuar’ për fitore dhe jam shumë i lumtur që ia dolëm. E lehtë nuk ishte, pasi Luzi bëri lojën e vet dhe na rrezikoi disa herë, por di të them që e meritonim fitoren. Kur shënon dhe skuadra merr tri pikët, kënaqësia është edhe më e madhe. Jam shumë i lumtur për golin e realizuar dhe natyrisht që jemi ende në garë për t’u ngjitur në elitë. Nuk dorëzohemi, për sa kohë mundësitë janë dhe faza ‘play off’ është më se e arritshme për objektivin tonë sezonal”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"