“Apolonia është prapë në zonën e rrezikut”, Mihana: Duhen pikët në Durrës, se nuk po shkojmë gjëkundi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2021 | 21:12

“Apolonia është prapë në zonën e rrezikut”, Mihana: Duhen pikët në Durrës, se nuk po shkojmë gjëkundi

Apolonia do ta mbyllë fazën e dytë në “Niko Dovana”, ku do të luajë ndaj Teutës vendëse. Do të jetë një transfertë shumë e vështirë për fierakët. Të dyja skuadrat vijnë në këtë ballafaqim pas humbjeve në javën paraardhëse, durrsakët me Laçin dhe Apolonia në “shtëpi” me Tiranën. Edhe pse kanë objektiva të ndryshme në kampionat, në sfidën e radhës fierakët po përgatiten për të mos u shfaqur si inferiorë në Durrës. Fitorja duket gati utopi dhe mision i pamundur për bardhejeshilët, pasi statistikat e 17 javëve të deritanishme janë kundër Apolonisë.

MIHANA REDON

Teuta (bashkë me Partizanin) është e pathyeshme në fushën e vet dhe, nga ana tjetër, Apolonia (bashkë me Bylisin) nuk ka fituar asnjë ndeshje transferte këtë sezon. Megjithatë, duke qenë se “djemtë e detit” kanë një ngërç në “Niko Dovana”, me 7 barazime në 8 ndeshje, fierakët do të luajnë minimalisht për të marrë 1 pikë, por nuk “i tremben” as objektivit fitore.

DEKLARATA – Mesfushori i avancuar i Apolonisë mbetet një ndër lojtarët kyç të formacionit të Kamaratës. Problematik në krahun e majtë për çdo kundërshtar me inkursionet dhe shërbimet e tij ndaj skuadrës. E “ka harruar” disi shijen e golit, një “zanat” që jo rrallë e bën 21- vjeçari. Vetëm 2 gola ka shënuar këtë kampionat dhe hera e fundit ka qenë javën e tretë, në barazimin 1-1 me Kastriotin. Megjithatë, mesfushori i Apolonisë nuk shqetësohet nga ky fakt, por është i obliguar për ecurinë dhe pikët e ekipit të tij.

“Është një kampionat i vështirë dhe që na mban në karikim gjatë gjithë kohës, e detyrueshme për pozicionin e ndërlikuar ku ndodhemi. Për ne, çdo ndeshje ka vlerën e një finaleje, pasi diferencat me dy ekipet e fundit janë të papërfillshme dhe një humbje e jonë, e shoqëruar me rezultat pozitiv nga rivalët tanë, na rikthen sërish në vendin e fundit. Kemi pasur përmirësim dhe kemi marrë disa pikë të vlefshme, por prapë jemi aty, në zonën e rrezikut. Mua nuk më interesojnë golat personalë, por pikët e Apolonisë. Këtë javë do ta mbyllim fazën e dytë në Durrës, me Teutën, që nuk di se ç’është humbja në fushën e saj. Një përballje shumë e vështirë për ne, kundër një ekipi që pretendon në zonën e sipërme të renditjes. E rëndësishme është që të luajmë pa ngarkesa dhe pa emocione negative. Pa dyshim që do të kërkojmë rezultat pozitiv, pasi humbja na e vështirëson edhe më shumë objektivin. Po përgatitemi me përkushtim dhe besim se nuk do të dalim pa pikë ndaj Teutës”, përfundon për gazetën Redon Mihana i Apolonisë. BUJAR RAMA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"