ANALIZA/ “Gjoba” e dytë për Tiranën, tani rrezikon gjithë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 23:58

ANALIZA/ “Gjoba” e dytë për Tiranën, tani rrezikon gjithë sezonin

Sipas rregullores dhe sipas precedentëve që ka krijuar FSHF-ja ndër vite, Tirana duhej të ishte rrëzuar nga kategoria pas ngjarjeve në Rrogozhinë. Njësoj si Kamza, Tërbuni, Bylisi dhe Besa dikur. Nuk është dëshirë e askujt që të shkrihet ekipi kampion dhe më i titulluari në Shqipëri, por këto standarde ka përdorur FSHF-ja.

tirana

Mirëpo jo, nuk kanë këllqe ta bëjnë këtë dhe zgjedhin dënime individuale, shpikin “çelje hetimi” dhe të tjera pirueta. Po të shohësh dënimet, qartazi ajo e djeshmja nuk është drejtësi sportive, por fare mirë mund të krahasohet si një gjobë e madhe që i vendoset klubit sa herë që ai paraqet kërcënim për ata që drejtojnë futbollin.

Po, sepse të njëjtën “gjobë” i vendosën Tiranës edhe kur nisën hetim për ndeshjen e Kupës Tirana-Bylisi tri vite më parë. Çfarë ndodhi më pas?

Paturpësisht nuk pati asnjë konkluzion dhe asnjë vendim të qartë. Thjesht ai “hetim” mund të ketë shërbyer si hanxhar mbi kokën e klubit bardheblu nëse do të qëndronte brenda rreshtit, apo jo. E njëjta situatë duket edhe tani. Tiranës i janë dënuar gjysma e lojtarëve, por FSHF i thotë se kemi çelur një hetim… Hetim për çfarë?

E pa gjithë bota që u futën tifozët dhe dhunuan gjyqtarët. Ajo e djeshmja duket si një gjobë e dytë mbi klubin e Tiranës, si për t’i thënë: “Të shohim si do të silleni… Po ngritët krye ne gati e kemi dënimin”. Rrezikon sezonin. Shpërfytyrimi i skuadrës kampione në fuqi, me lojtarë që Duka u vari në qafë një vit më parë medaljet e kampionit është dështimi spektakolar i FSHF-së në këtë sezon.

Mirëpo tani Tirana realisht duhet të ruhet dhe tifozët e saj të bëhen gati për skenarët më të këqij. Jo vetëm që titullin praktikisht e kanë humbur, por mund të humbin kupën me kaq shumë mungesa dhe mund të mbeten jashtë Europës nëse u hiqen pikë.

Kjo shpjegon edhe daljet publike të Tiranës “as mish as peshk”. Dhe është për të vënë duart në kokë kur sheh se si i mbyllet goja klubit më të madh në vend. Mirëpo, siç koha ka treguar, dje e kishte radhën Partizani, sot e ka Tirana, nesër dikush tjetër…. Të gjithë do ta vuajnë në kurriz këtë lloj sistemi. Dhe e meritojnë për aq kohë sa heshtin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"