Alegri ndryshon fytyrë për të trembur “djallin”, mendon të kalojë te 4-4-2 në “San Siro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2023 | 16:03

Alegri ndryshon fytyrë për të trembur “djallin”, mendon të kalojë te 4-4-2 në “San Siro”

Faktet thonë: Milani kryesues i Serisë A, 2 pikë i shkëputur nga Interi, edhe pse zikaltrit e masakruan në derbi me rezultatin 5-1. E përkthyer, skuadra e Piolit është vërtet djallëzore, përderisa ka arritur që të kapërdijë një grusht të atillë dhe ta bëjë atë që të duket diçka modeste.

alegri

Por ndërkohë edhe Juventusi surprizon të gjithë, duke qenë se edhe pse nuk bind, është aty dhe të dielën mund të shkojë 1 pikë nga Milani, në rast suksesi. Edhe “Zonja e Vjetër” ashtu si “Djalli” nuk duhet nënvlerësuar, përkundrazi duket më dinake se kurrë, pasi sikur të mos mjaftonin dëmtimet e rëndë që e kanë kapluar, ata kanë ditur që të jenë edhe më të fortë sesa dopingu i Pol Pogbasë, apo edhe bastvënia ilegale e Nikolo Faxholit dhe ndaj Milanit duan që ta vërtetojnë këtë gjë.

Madje, për më tepër, trajneri Masimiliano Alegri po mendon që t’i ndërrojë edhe fytyrë skuadrës së tij, për të kapur më në befasi homologun Stefano Pioli, i cili mund të mbështetet te një grup lojtarësh më teknikë, më me klas sesa ata të Juventusit, por bardhezinjtë mund të përfitojnë nga fakti se formacioni kuqezi ka në përbërje të tij shumë blerje të reja dhe konsolidimi i manovrave nuk është ai perfekti. Gjithsesi, “Konti Maks” i ka studiuar të gjitha këto, por përpara se të mendojë për Milanin, duhet të bëjë llogaritë me 4 mungesa të rëndësishme që formojnë boshtin e tij: kapiteni Danilo në mbrojtje, truri i prapavijës me tre lojtarë; Pogba dhe Faxholi tashmë në mesfushë, të vetmit që kishin pak klas dhe lojë vertikale në këmbët e tyre dhe i pakapshmi Kieza në sulm, që nuk ka zëvendësues në Torino.

Të gjitha këto bëjnë që Juventusi të mendojë në fillim të mbulojë defektet e tij dhe më pas të kërkojë të godasë “djallin”. Ideja kryesore është ajo që të lidhë linjat mes reparteve, duke kaluar nga 3-5-2 që i garanton më shumë presin, në një 4-4-2 më të sigurt në mbrojtje dhe mbi të gjitha nga fakti se në mesfushë mund të mbështetet vetëm te Rabio, Lokateli e MeKeni. Në sulm përveç Vlahoviçit të rikuperuar pritet Milik nga minuta e parë.

Ndërkohë, dilemat e Alegrit janë krahët e mesfushës, të hedhë Kostiçin nga minuta e parë dhe të luajë në qendër me Rabio e Lokateli, apo të hedhë Ueah titullar dhe në qendër të mesfushës të kalojnë Lokateli e MeKeni, me Rabio në të majtë. Dhe pikërisht kjo zgjedhje mund të bëjë diferencën, ndonëse edhe reparti i mbrojtjes është një rebus për t’u zgjidhur, duke qenë se krahët “qajnë”.

JUVE

Përgatiti: JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"