Alegri flet hapur: Fitoj derbin dhe siguroj Champions, më pas iki pa pengje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 9:22

Alegri flet hapur: Fitoj derbin dhe siguroj Champions, më pas iki pa pengje

Masimiliano Alegri është së bashku me Xhovani Trapatonin primatisti i derbit të Torinos, me 13 fitore secili. Kështu që do t’i mjaftonte dhe një pasditen e sotme në orën 18:00 për të marrë komandën e këtij rekordi special, por me shijen e hidhur se ndoshta mund të jetë edhe derbi i tij i fundit me Juventusin, duke parë atmosferën dhe daljen e fundit të padronit Xhon Elkan.

alegri

Dhe vetë “Konti Maks” për herë të parë ndoshta pranon se në fund të sezonit rrugët edhe mund të ndahen. Gjithsesi, si profesionist ai kërkon të arrijë në fillim objektivin, më saktë objektivat dhe më pas të presë verdiktin e klubit. “Kur fiton ndihesh gjithmonë mirë, më i relaksuar, por neve nuk na lejohet kjo pasi kemi ende 7 ndeshje kampionat për të luajtur. Kjo do të thotë se na presin ende 35-40 ditë për t’u jetuar me pasion dhe presion të madh. Duken pak, por në të vërtetë do të jetë një rrugë shumë e gjatë deri në fund, pasi për zonën Champions janë shumë skuadra në lojë, kështu që duhet të bëjmë shumë kujdes nga të papriturat. Prandaj, na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse edhe Torino synon zonën europiane, ndërsa neve na duhen pikët për të blinduar sa më shpejt Champions-in”.

STOLI LËKUNDET Si rrallë herë, letra e fundit drejtuar aksionarë e padronit Xhon Elkan nuk citonte në asnjë rresht emrin e Masimiliano Alegrit, ndryshe nga dy sezonet e kaluara dhe kaq ka mjaftuar për të nisur dyshimet se ndoshta trajneri nuk do të konfirmohet. Por po, në atë letër ekzistonte emrin e Kristiano Xhuntolit, drejtori sportiv që mori të gjithë pushtetin e mundshëm nga “bosi” i tij dhe Alegri nuk fshihet:

“Unë në dyshim? Presidenti Xhon Elkan foli qartë, e ardhmja dhe puna në vazhdim do të vijojë vetëm me Xhuntolin. Dhe realisht nuk kam menduar nëse ky do të jetë ose jo derbi im i fundit. Ajo që unë di është se janë 100 milionë euro në lojë në këto 7 ndeshje të fundit që do të thotë, klubi do të humbë 100 të tilla nëse nuk shkon në Champions ose do të fitojë 100 milionë nëse ne arrijmë objektivin. Prandaj si trajner i Juventusit dua të përjetoj në mënyrë speciale këtë me Torinon, pa menduar për asgjë tjetër. Shkurt, dua të fitoj ndeshjen, më pas të siguroj rikthimin e Juves në Champions dhe në fund do të pres verdiktin e klubit. Personalisht jam plot adrenalinë brenda meje dhe skuadrës ia kam kërkuar me ngulm që të ma dhurojnë këtë derbi. Këtë herë e dua unë, për veten time”, përfundoi 56-vjeçari.

JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"