Alcani: Partizani rikthehet te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2012 | 13:37

Alcani: Partizani rikthehet te fitorja

Partizani do të luajë të hënën takimin e radhës në kampionat ndaj Naftëtarit, ku të kuqtë duhet të fitojnë me çdo kusht për të mos u shkëputur më shumë nga kreu i klasifikimit. “Demat” kanë barazuar në ndeshjen e fundit në kampionat, çka ka sjellë që ata të humbasin edhe vendin e dytë në renditje, por pa ndonjë diferencë të madhe pikësh. I rikthyer pas një jave mungesë për shkak kartonësh, kapiteni i të kuqve, Alert Alcani, është i bindur se këtë herë trepikëshi do t’i takojë skuadrës së tij. “Sinqerisht që më ka munguar shumë sfida me Himarën dhe do të dëshiroja të isha në fushë, me qëllimin e vetëm që të jepja kontributin tim për skuadrën që të fitonte. Është e vërtetë që barazimi i fundit në transfertë, një ndeshje të cilën duhet ta kishim fituar, na ka spostuar në renditje, por kjo nuk do të thotë se ne jemi dorëzuar. Do të bëjmë kthesën që në ndeshjen ndaj Naftëtarit, duke marrë trepikëshin e radhës. Jam i bindur se këtë herë fitorja do të na përkasë ne, pasi kemi gabuar mjaft”, – ka deklaruar Alcani.
Objektivi – Në këtë ndeshje interesant është fakti se si Partizani, ashtu edhe Naftëtari kanë garuar një sezon më parë për vendin e parë në grupin e tyre në Kategorinë e Dytë. Gara ka qenë shumë e ashpër dhe të dyja skuadrat rivalizuan deri në fund. “Naftëtari është një ekip i mirë, i cili po kalon disa vështirësi dhe ndaj nesh do të kërkojë pikë me çdo kusht. Për këtë arsye ne i kemi vlerësuar ata si skuadër dhe në fushën e blertë nuk do t’i nënvlerësojmë në asnjë moment. Në fund dua të falënderoj edhe tifozët e Partizanit, të cilët na kanë mbështetur dhe u premtoj se do të rikthehemi te fitorja dhe se në fund të fazës së parë do të renditemi në një nga dy vendet e para”, – ka përfunduar Alcani.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"