Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 14:00

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, tashmë pjesë e ekipit të dytë të Bajernit të Mynihut, ka folur dje për “Panorama Sport” rreth aventurës së tij të re, lëvizjeve të lojtarëve kuqezinj në merkato, si dhe ekipit përfaqësues. Mesfushori “veteran” këshillon trajnerin Xhani de Biazi që të fokusohet te reparti mbrojtës. “Duhet të forcojmë mbrojtjen. Kështu mund të krijojmë siguri, pasi nuk jemi një ekip që bëjmë volum loje. Gjithnjë nuk e mbajmë topin më shumë se kundërshtari”,- ka thënë ndër të tjera legjenda e Kombëtares shqiptare në këtë intervistë.
Altin, si po shkon aventura te Bajerni?
Përgjithësisht jam i kënaqur. Për momentin po pushoj, pasi kam bërë një tërheqje muskulore dhe ende nuk jam riaftësuar.
E ndien veten më shumë si trajner, apo si lojtar?
Të them të drejtën më shumë e ndiej veten si trajner, por në ndryshim nga ajo që e mendoja, është më e vështirë. Kam të bëj këtu vetëm me çuna të rinj dhe ndonjëherë më duket vetja sikur jam pjesë e skuadrës U- 19 dhe po pres të kaloj te të rriturit. 10 lojtarë janë 18- vjeçarë, ndërsa 7 të tjerë që janë pjesë e formacionit, janë vetëm 15-vjeçarë. Të gjithë kanë shumë talent, por dihet që kalimi te ekipi i parë është i vështirë. Te Hanoveri e kisha më të lehtë kur luaja me të rinjtë, por këtu janë të gjithë moshë e vogël dhe vihem shpesh në siklet.
Si e mendoni kalimin e Roshit te FSV Frankfurti?
Odisesë i jepet një shans tjetër për të luajtur në futbollin profesionist të Gjermanisë. Bundesliga 2 është e një niveli të mirë dhe mendoj se Roshi do të arrijë të luajë rregullisht. Edhe pse Këlni zbriti nga kategoria, ishte një zgjedhje e mirë që të luante në një tjetër skuadër. E ka të ardhmen para, por duhet të punojë shumë për të qenë atje ku duhet.
Ndërkohë Mavraj është bërë kapiten te Grojther Furthi. A mendoni se do të arrijë ndonjë lojtar të ndjekë hapat tuaj në Bundesligë?
Pse jo, çdo gjë është e arritshme në futboll. Së pari shpresoj që të luajnë sa më shumë shqiptarë në Bundesligë, pasi këtu në Gjermani çdo gjë është OK, duke filluar nga stadiumet, në të cilat ke qejf të luash. I uroj suksese Mavrajt.
Të flasim për Kombëtaren. De Biazi ka lënë jashtë lojtarë si Muzaka, G.Lika, Veliu dhe Teli, ndërkohë që ka grumbulluar Dushkun, Arapin, Vucajn dhe Memushajn. Si i shikoni këto lëvizje?
Trajneri ka gjithnjë argumentet e veta për ndryshimet që bën. Unë eci me idenë që secili lojtar që punon mirë në skuadrën e tij, i ka shanset që të jetë pjesë e Kombëtares. De Biazi bën mirë që u jep shansin dhe këta lojtarë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi, pasi nuk duhet të kënaqen me faktin se thjesht u grumbulluan. Shpresoj që kombëtarja të bëjë një hap përpara dhe këta djemtë e rinj që afrohen të arrijnë ta shfrytëzojnë në maksimum shansin.
A ka futbollistë në Kombëtare që, për mendimin tuaj, duhet të aktivizohen më shumë?
Është e vështirë ta them unë këtë. Gjithsesi, e rëndësishme është që De Biazi të ndjekë rregullisht ecurinë e lojtarëve në klube. Ai duhet të ketë shumë informacione. Një lojtar që është pjesë e kombëtares, së pari duhet të bëjë detyrat e shtëpisë në skuadrën ku luan, pastaj do e ketë më të lehtë në kombëtare.
Çfarë i sugjeroni De Biazit për sa i përket punës me lojtarët? Cili është reparti që, sipas jush, po çalon ose ka nevojë për përmirësim?
Shqipëria nuk e ka luksin t’i shpërfillë lojtarët, kudo që ata luajnë. Jemi një ekip që kemi shumë nevojë për ata futbollistë që kanë edhe sadopak cilësi. Më përpara kemi pësuar gola për mospërqendrim. Tashmë, me ardhjen e trajnerit italian, duke njohur edhe mentalitetin e tij, mendoj se duhet t’i kushtohet shumë rëndësi mbrojtjes. Duhet të mësohemi të mbrojmë si skuadër. Nuk duhet të pësojmë shumë gola, pasi jemi një ekip që presim gjithnjë nga gabimet e të tjerëve. Pra, thuajse gjithnjë volumin e lojës e bën kundërshtari. Sigurisht jo vetëm mbrojtja, por çdo repart është i rëndësishëm, por nëse ne jemi të sigurt prapa, atëherë kemi arritur diçka. Duhet të luajmë në grup, pasi këto mundësi kemi për të qenë realistë.

Moldavia zbarkon me 18 lojtarë në Tiranë
Trajneri i Moldavisë, Jon Caras, ka zgjedhur 18 lojtarë për miqësoren e së mërkurës në “Qemal Stafa”. Tekniku pat grumbulluar fillimisht 30 lojtarë, por pas seancave stërvitore të ditëve të fundit, 12 prej tyre mbeten jashtë skuadre. Ja lista e plotë e kundërshtarit të radhës të Shqipërisë: Stanislav Namasko (Kuban, Rusi), Sergei Pasçenko (Malavan, Iran), Petru Raku (Hjiorring, Danimarkë), Simion Bulgaru (Alania, Rusi), Igor Armash (Kuban, Rusi), Aleksandru Epureanu (Krilia Sovetov, Rusi), Vitali Bordian (Metalist Karkiv), Aleksandru Suvorov (Krakovia, Poloni), Aleksandru Gatcan (Rostov, Rusi), Aleksandru Onika (Sherif Tiraspol), Aleksandru Pasçenko (Sherif Tiraspol), Aleksandru Dedov (Sherif Tiraspol), Stanislav Ivanov (Sherif Tiraspol), Artur Patras (AZAL, Azerbajxhan), Sergei Kovalçiuk (Aktobe, Kazakistan), Anatol Dorosh (Simurq, Azerbajxhan), George Ovseanikov (Sunkar, Kazakistan), Igor Pikusheac (Amkar, Rusi).

De Biazi: Kombëtarja, e gjithë shqiptarëve
Në  konferencën për shtyp përpara takimit miqësor me Moldavinë, që do luhet të mërkurën në Tiranë, trajneri i përfaqësueses kuqezi, De Biazi, ka ngritur shqetësimin për zhvillimin e kësaj sfide. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së vullnetit të instancave dhe hallkave të ndryshme shtetërore, por jo vetëm, për ta ndihmuar ekipin kombëtar në ecurinë e vet të natyrshme. Kompania CEZ ka ndërprere dritat në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ndaj rrezikon seriozisht zhvillimin e seancave stërvitore, por edhe të takimit miqësor me Moldavinë aty, ndërkohë që edhe ndeshja e parë zyrtare, kualifikuesja me Qipron, e planifikuar për më 7 shtator 2012, rrezikohet për t’u zhvilluar në Tiranë.
“Qemal Stafa” CEZ-i ka vendosur të ndërpresë furnizimin me energji elektrike të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Shkaku: debia e krijuar nga mospagesa disamujore e drejtorisë së këtij impianti sportiv. “Qendra Sportive” SH.A, mësohet se ka krijujar një debi prej rreth 700 mijë lekësh, bashkë me kamatën, ndaj kompania çeke e shpërndarjes së energjisë elektrike në vendin tonë, ashtu sikurse ka nisur aksion në mbarë vendin për ndërprerjen e rrymës për debitorët, e ka bërë këtë gjë edhe për “Qemal Stafa”. Sikurse dihet, ka filluar proceduera e kalimit të këtij impianti sportive nga “Qendra Sportive” SH.A në Shoqatën “Kuqezi”, e krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në emër të kësaj të fundit, sekretari Eduard Prodani sqaron:”Është për të ardhur keq që një shoqëri e regjistruar në Shqipëri dhe që përfaqëson interesat e shtetit, të tregohet kaq pak e ndjeshme ndaj kombëtares së këtij vendi. Nuk është aspak serioze ndaj miqve moldavë, apo vetë FIFA-s, që t’i komunikojmë se do të ndryshojmë orarin e ndeshjesm pasi nuk kemi energji elektrike.”
Trajneri kuqezi De Biazi, pas thirrjes që kombëtarja është e të gjithë shqiptarëve dhe imazhi i vendit, ka shpjeguar pjesën teknike të kuqezinjve në provën e fundit para startit të fushatës kualifikuese për “Botërorin 2012”, miqësoren përballë Moldavisë. “Mendoj se impenjimi i lojtarëve është maksimal për këtë takim të rëndësishëm, ndaj pres më të mirën prej tyre. Kemi grumbulluar shumë futbollistë, rreth 25 të tillë, sepse kjo miqësore do të jetë shumë e rëndësishme për të provuar formën e të gjithë lojtarëve përpara nisjes së ndeshjeve kualifikuese. Është shumë e rëndësishme që kjo ndeshje të realizohet. Kam një listë prej 34 futbollistësh për të përballuar fushatën kualifikuese të “Botërorit 2014”. Do të luajmë 10 ndeshje, ndaj duhet një numër i konsiderueshëm lojtarësh per t’i përballuar të gjitha sfidat. Miqësorja me Moldavinë ka rëndësinë e saj, sepse nga zhvillimi i saj, nga ajo që do të japin lojtarët në fushën e lojës, do të ndërtoj edhe strategjinë për kualifikueset e muajit të ardhshëm (me Qipron në Tiranë dhe me Zvicën në transfertë). Si trajner pres pergjigjet e duhura dhe të fundit nga kjo miqësore, sepse është testi i fundit. Personalisht i kam idetë e qarta për të tashmen dhe të ardhmen e kombëtares që drejtoj, por ato do të varen nga reagimi që do të marr nga skuadra, reagim të cilin dua ta shoh që të mërkurën, me Moldavinë. Pavarësisht se bëhet fjalë për një miqësore, duke qenë se është testi gjeneral para nisjes së kualifikueseve në grup, gjithçka do të ketë shumë rëndësi. Duhet të vëmë pikat mbi “I” për shumë gjëra, si në planin taktik, edhe në konsolidimin e të luajturit,” – ka nënvizuar trajneri italian i kombëtares së Shqipërisë.

Revolucioni kuqezi i De Biazit
Xhani De Biazi e ka ndryshuar në mënyrë thelbësore Kombëtaren shqiptare. Në ndryshim total nga paraardhësi i tij, Josip Kuzhe, italiani rreket më shumë të provojë lojtarë të rinj, duke kërkuar në një farë mënyre që të sigurojë të ardhmen, pa pasur “frikën” e të tashmes sikundër kroati. Kujtojmë se Kuzhe, jo vetëm në ndeshjet zyrtare për kualifikimet e Botërorit 2010 dhe Evropianit 2012-të, por edhe në ndeshjet miqësore, grumbullonte pak a shumë të njëjtët futbollistë. Tjetër gjë De Biazi, i cili në përpilimin e vetëm tri listave: ndaj Gjeorgjisë, ndaj Katarit e Iranit dhe tanimë ndaj Moldavisë, ka grumbulluar për herë të parë me kombëtaren plot 11 lojtarë, nga të cilët 6 prej tyre kanë bërë edhe debutimin. Kështu duke filluar që nga Shpëtim Moçka, Etrit Berisha, Enea Koliqi, Mërgim Mavraj, Erjon Dushku, Renato Arapi, Hair Zeqiri, Mërgim Brahimi, Erjon Vucaj, Armando Sadiku dhe Edgar Çani, që të gjithë janë lojtarë që janë thirrur në kombëtare nga italiani. Ndërsa, duhet thënë se E.Berisha, Mavraj, Zeqiri, Brahimi, Sadiku dhe Çani, kanë bërë tashmë edhe debutimet e tyre me kuqezinjtë. Në total, në tri listat e publikuara deri tani, nga ana e De Biazit janë grumbulluar plot 33 lojtarë, nga ku 7 janë grumbulluar për herë të parë nga Josip Kuzhe, 5 nga gjermani Hans Peter Brigel, 4 nga Oto Bariç, 4 nga Ari Han, 1 nga Sulejman Demollari dhe 1 nga Neputun Bajko. Siç shihet 1/ 3-ta e këtyre futbollistëve janë grumbulluar për herë të parë nga tekniku aktual, çka tregon edhe një herë se De Biazi, jo vetëm kërkon që të ndërtojë një skuadër për të ardhmen, por tenton edhe t’u japë një shans lojtarëve të Superiores. Kështu, në përballjen ndaj Gjeorgjisë, ai riktheu në skuadër pas një kohe relativisht të gjatë, Tefik Osmanin, i cili kishte debutuar me kuqezinjtë që në kohën e Brigelit, por që më pas nuk ishte parë si alternativë në mbrojtje nga ana e teknikëve pasardhës. Ndërsa në përballjet ndaj Katarit dhe Iranit, De Biazi grumbulloi Shpëtim Moçkën dhe Enea Koliqin, për të ardhur te lista anti-Moldavi, ku u thirrën për herë të parë, Erjon Dushku, Renato Arapi dhe Erjon Vucaj (kujtojmë se Arapi ka qenë me ekipin përfaqësues edhe në miqësoren ndaj Argjentinës, por ajo nuk ka qenë zyrtare dhe nuk njihet nga FIFA). Në këtë këndvështrim, italiani duket qartë që ndryshon totalisht me të huajt e tjerë që e kanë drejtuar ekipin tonë përfaqësues, si në filozofinë e lojës (të paktën për aq sa kemi parë), por edhe në konceptin e ndërtimit të një grupi solid.

Bekim Bala “pushton” Pragën, vjen goli i parë te Sparta
Bekim Bala shënon golin e parë me skuadrën e tij të re, Sparta Pragën. Sulmuesit shkodran iu deshën vetëm 12 minuta në transfertën e djeshme të kryeqytetasve ndaj Slovacko për të shënuar edhe golin, në ndeshjen e dytë që zhvillon në kampionatin çek. Duhet thënë se si në takimin e para një jave dhe në përballjen e djeshme, Bala ka luajtur si titullar, paçka se te Sparta nuk ka më shumë se tri javë. Sparta fitoi 4-1 në fushën e Slovackos. Si fillim ishte David Pavelka që i kaloi në avantazh miqtë në minutën e 7-të dhe, më pas, Bala dyfishoi. 11 minuta më vonë vendësit do ta shkurtonin diferencën me anë të Jan Trousil, por vetëm kaq pasi Sparta do të shënonte edhe dy herë të tjera me anë të Husbauer (42′) dhe Kadlec (49′). I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Bala ka treguar emocionet e golit të parë me Spartën. “Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur njëkohësisht. Më duket sikur nuk kisha shënuar prej shumë kohësh. Ishte një kros nga e djathta e sulmit tonë dhe unë u gjenda diku afër pikës së penalltisë dhe me kokë shënova golin e dytë. Më erdhi mirë, pasi kam luajtur si në ndeshjen e parë edhe sot (dje) si titullar, ndaj më mirë se kaq nuk ka se ku të shkojë. Ambienti? Unë personalisht jam ndjerë i surprizuar, pasi në vetëm pak ditë drejtuesit më kanë dhënë besimin e duhur dhe përkrahur, ndaj jo pa qëllim kam qenë titullar në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar në kampionat. Uroj që të vazhdoj kështu dhe të mos zhgënjej. Kombëtarja? Nëse luaj mirë, edhe grumbullimi me kuqezinjtë do të vijë. Tirana? Kanë elementë cilësorë në grup, padashur që të përmend emra, kështu që unë them se kanë për t’ia dalë edhe pa mua”, – ka përfunduar sulmuesi shkodran, Bekim Bala.

I “nxiu” jetën, Kapllani hakmerret ndaj ish-trajnerit
Edmond Kapllani ka qenë dje protagonisti absolut i takimit FSV Franfkurt- Herta Berlin, 3-1. Kur rezultati ishte 0-1 për Hertën, lojtari 30- vjeçar arriti të fitonte një penallti, e cila solli më pas golin e barazimit. Por, forma e mirë e sulmuesit durrsak u konkretizua edhe në minutën e 63-të, kur ai dha një asist perfekt, i cili u shndërrua në gol nga Lecki. Kapllani ishte rreziku numër një në portën e Hertës, por i mungoi vetëm goli, pavarësisht se me penalltinë që mori dhe asistin që dha justifikoi gjithçka, duke qenë ndër më të mirët në fushë për Frankfurtin. Mbi të gjitha, kjo sfidë ishte edhe një lloj hakmarrjeje ndaj ish-trajnerit, Jos Luhukai. Ky i fundit drejton aktualisht Hertën e Berlinit, ndërkohë që dy sezone më parë ka qenë në krye të pankinës së Augsburgut, duke pasur në skuadër edhe Kapllanin. Luhukai nuk e preferonte shqiptarin, teksa e la për një kohë të gjatë në stol. Vetë lojtari ka pranuar se tekniku gjerman ia ka “nxirë” jetën gjatë periudhës kur ishte te Augsburgu.
Debuton Roshi – Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Odise Roshi, ka debutuar dje për FSV Frankfurtin në Bundesligën 2. Në përballjen e javës së dytë kundër Hertës së Berlinit, ai e nisi si titullar, bashkë me sulmuesin Kapllani. Roshi u zëvendësua kur rezultati ishte 1-1, pikërisht në minutën e 58-të. Në fund, edhe Kapllani la lojën, teksa trajneri bëri një zëvendësim taktik, pasi Frankfurti po udhëhiqte 3-1. Pas dy ndeshjeve të para të këtij sezoni, ekipi i shqiptarëve pozicionohet në vendin e katërt.

Berisha gol me penallti, më pas pëson 7
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ka shënuar sërish për skuadrën e tij Kalmar në kampionatin suedez të futbollit dhe, natyrisht, përsëri nga pika e bardhë e penalltisë. Por, më shumë se goli i Berishës, ajo që ka pushtuar dje pasditen e Kalmarit ka qenë humbja shokuese 7-2 nga Helsingborgu. Vendësit u treguan të pamëshirshëm duke e detyruar Berishën që ta nxjerrë topin nga rrjeta e tij shtatë herë në minutat 3′ (Finbogason), 14′ (Sorum), 40′ (A.Finbogason), 45′ (Uronen), 57′ (Bouaouzan), 72′ (Nordmark) dhe 82′ (Santos). Për miqtë, përveç Berishës që realizoi në minutën e 38-të, shënoi edhe Diouf në minutën e 52-të. Lojtari udhëton sot drejt Shqipërisë për miqësoren ndaj Moldavisë, teksa mësohet se sot ai do marrë zyrtarisht edhe pasaportën shqiptare.

Ahmed Januzi, gol kundër Shahtjorit
Sulmuesi kosovar i Vorskla Polltavës, Ahmed Januzi, ka arritur të shënojë dje kundër Shahtjor Donjeckut. Megjithatë, ky gol ka më shumë vlera statistikore për lojtarin, pasi skuadra ku aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Armend Dallku, u mund thellë, 4-1, në transfertë. Januzi dhe Dallku e nisën ndeshjen si titullarë për Vorsklën. Kur rezultati ishte 2-0 për Shahtjorin, Januzi shkurtoi diferencën e golave, ndërkohë që përpara se të shënonte u ndëshkua edhe me një karton të verdhë. Dy lojtarët kosovarë luajtën 90 minuta. Ndërkohë, vetëm Dallku është grumbulluar me kombëtaren për miqësoren e radhës.

Shqiptarët e Zvicrës
Nga lojtarët shqiptarë në Zvicër, të cilët janë edhe pjesë e përfaqësueses kuqezi, vetëm Armando Sadiku e ka nisur si titullar. Në fitoren 3-1 të Luganos kundër Vaduzit, sulmuesi luajti deri në minutën e 86-të. Ndërkohë, në ndeshjen Luzernë-St.Gallen 1-1, Hyka u fut si zëvendësues në minutën e 66-të. Në fund të takimit u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Ndërsa Mërgim Brahimi luajti vetëm 20 minuta në fitoren e Grasshopersit.

Fiton Ujkani dhe Memushaj
Portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, ka luajtur vetëm në 45 minutat e para për Palermon në miqësoren e djeshme kundër Parmës. Skuadra ku aktivizohet kosovari fitoi thellësisht 4-1. Ujkani pësoi gol në minutën e 39- të, ndërkohë që në pjesën e dytë trajneri Sanino aktivizoi portierin Benusi. Në ndeshjen tjetër, të vlefshme për Kupën e Italisë, mes Leçes dhe Kietit, që përfundoi 3-1, u aktivizua si titullar mesfushori i Kombëtares, Ledjon Memushaj. Ky i fundit luajti për Leçen deri në minutën e 63-të.

Shkëlqen shkodrani Vajushi
Armando Vajushi ka shkëlqyer në fitoren 1-0 të Liteksit kundër CSKA-së së Sofjes. Në ndeshjen e parë të kampionatit bullgar, mesfushori shkodran e nisi si titullar. Në minutën e fundit të takimit, ai dha asistin e golit të vetëm, që u shënua nga sulmuesi Zakov. Menjëherë pas këtij goli, trajneri Hristo Stoiçok e zëvendësoi të riun shqiptar, për të fituar disa sekonda. Pas përfundimit të ndeshjes, legjenda e futbollit bullgar, që ka marrë tashmë drejtimin e Liteksit, nuk ngurroi të thurte elozhe për lojën e Vajushit.
JORGIS MEMO /  LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"