500 milionë lekë për “ringjalljen” e Flamurtarit, zbulohet kërkesa për bashkinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2019 | 20:26

500 milionë lekë për “ringjalljen” e Flamurtarit, zbulohet kërkesa për bashkinë

Ankthi shtohet në Vlorë. Sot është data e fundit për licencimin e klubit të futbollit “Flamurtari”. Të gjitha klubet kanë nisur stërvitjen, ndërsa i vetmi ekip i Superiores që nuk e di se ku është në këtë moment, është Flamurtari. Pavarësisht premtimeve të shpeshta nga administratori Sinan Idrizi dhe Bashkia e Vlorës se kjo gjë do të rregullohet, deri në këtë moment nuk ka asgjë të sigurt.

flamurtarii

Çdo gjë duket se po shkon drejt greminës, sepse të gjitha klubet kanë lëvizur. Flamurtari nuk di çfarë ekipi ka, nuk di çfarë do të bëhet me borxhet e kaluara ndaj ish-lojtarëve dhe trajnerëve, me borxhet në Tatime apo edhe për detyrimet ndaj të tretëve. Ndërkohë, burime konfidenciale jo zyrtare, tregojnë për “Panorama Sport” se Flamurtarit i duhen 500 milionë lekë për të startuar punën. Kjo mësohet se është garancia që ka kërkuar administratori nga bashkia. Por kjo gjë duket e pamundur aktualisht, pasi Bashkia e Vlorës dhe Këshilli i ri Bashkiak, ende nuk janë konstituuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Se cili do të jetë fati i Flamurtarit këtë sezon, ende nuk dihet, por rreziku për të mos u licencuar sa vjen dhe rritet.

REAGIMI

Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Kreshnik Ziaj, njëkohësisht nipi i ish-futbollistit të shquar të Flamurtarit, Alfred Ziaj, nëpërmjet një statusi në “Facebook”, i bën thirrje Bashkisë së Vlorës që të marrë përgjegjësitë si pronare e klubit për zgjidhjen e kësaj situate.

flamurtariii

“Të nderuar miq! Nisur nga situata që po kalon klubi i futbollit Flamurtari, si dhe nga një shkrim në ‘Facebook’ i mikut tim Moisi Dalipi, po marr shkas t’i drejtohem Bashkisë Vlorës që të marrë përgjegjësitë e saj në cilësinë e pronarit të klubit ‘Flamurtari’ për zgjidhjen e kësaj situate. Përpara 3 viteve Bashkia Vlorë mori një iniciativë për privatizimin e emrit dhe stemës së Flamurtarit. Në një dëgjesë publike të organizuar në atë kohë hodha idenë e privatizimit të klubit duke vënë disa kushte, ku kryesori të ishte ai i moszotërimit nga një person i vetëm i më shumë se 50% të aksioneve. Këtë gjë e propozova edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, por në atë kohë më etiketuan sikur sillja zërin e një mikut tim që ka dhënë kontributin e tij të vyer për një kohë të gjatë si president i klubit. Kuptova se asnjë nuk po mendonte për Flamurtarin. Falë Zotit dhe pas një debati të gjatë për mënyrën se si do të bëhej përllogaritja e vlerës së shitjes së emrit dhe stemës, projektvendimi nuk kaloi në këshill. Ata që kishin marrë flamurin e kësaj ‘çorapeje’ filluan të më etiketonin si një person që ishte kundër administratorit të ri të klubit. Për hir të së vërtetës, që në momentin që administratori i ri ka marrë drejtimin e klubit, asnjë qindarkë e taksapaguesve nuk ka shkuar për klubin”, u shpreh Ziaj.

PËR ORIKUMIN

“Ndërkohë, Bashkia e re e Vlorës ka marrë përsipër të ngjisë në Kategorinë Superiore FC Orikun. Unë personalisht në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak e kam parë nga brenda këshillit se me çfarë dëshire dhe shpejtësie reagonte bashkia, administrata e saj si dhe Këshilli Bashkiak për futjen në buxhetin e bashkisë fondin për FC Orikun. Në disa raste, edhe një shtesë fondi gjatë vitit për “arritje të shkëlqyera”.

Kjo gjë nuk ndodh me klubin e futbollit Flamurtari a thua sikur të jetë një ekip i ndonjë fshati. Të nderuar drejtues të Bashkisë Vlorë! Në qoftë se e lini gjendjen të përkeqësohet, se larg qoftë Flamurtari bie një kategori më poshtë, atëherë FC Oriku me pronare Bashkinë Vlorë do të rrëzohet nga kategoria ku militon në një kategori më poshtë. Kjo për arsye se nuk mund të luajnë në një kategori dy ekipe që kanë të njëjtin pronar. Të nderuar drejtues të Bashkisë Vlorë! Për të shpëtuar Orikumin, duhet të shpëtoni Vlorën, Flamurtarin. Bëjeni edhe një sakrificë për FC Orikumin!” përfundon këshilltari bashkiak i LSI.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"