Shkëmbi: Kroatët të fortë, por i befasojmë, do kërkojmë vetëm kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2015 | 10:57

Shkëmbi: Kroatët të fortë, por i befasojmë, do kërkojmë vetëm kualifikimin

shkembi salihiKapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, vlerëson forcën e kundërshtarit në raundin “play-off”-it, por nuk u druhet. Ai ka besim që ekipi i tij do të arrijë të zhvillojë paraqitje dinjitoze dhe garanton se do të luajë vetëm për kualifikimin.

Sipas korçarit, cilido rival që do të kishin përballë në short, nuk do ishte e lehtë, edhe pse personalisht ai preferonte Bate Borisovin, ndaj të cilëve donte të merrte hak për eliminimin e kaluar…

Kapiten, goglat zgjodhën Dinamon e Zagrebit. Si e gjykoni këtë short?

Dihej që në këtë pikë kundërshtarët janë shumë të fortë. Nuk ka ndonjë dallim të madh mes atyre pesë kundërshtarëve që ishin në atë vazo dhe mendoj se nuk kishim çfarë të prisnim më shumë.

Si e shikoni përballjen me Dinamon?

Është një ekip me traditë në Europë, që ka lojtarë shumë të mirë, por edhe të rinj në moshë, pasi është klub që zbulon talente. Dihet që si nivel qëndrojnë më lart se Skënderbeu, por duhet të dinë mirë se ne nuk kemi ndërmend të luajmë për t’u eliminuar. Do të shkojmë në këto dy takime me kokën lart dhe do të kërkojmë të bëjmë surprizën.

Pra, po thoni se Skënderbeu nuk do të ketë presion?

Sigurisht që presioni më i madh do të jetë mbi ta, pasi ne nuk kemi çfarë të humbim në këtë pikë. Kemi arritur objektivin tonë dhe kjo është ajo që do të na bëjë të ndeshemi më të qetë. Do të tregojmë vlerat tona dhe do të përpiqemi që t’i eliminojmë kroatët.

Përtej shortit, cilin preferonte Shkëmbi si kundërshtar?

Doja Bate Borisovin më shumë për hakmarrje nga ai eliminim në edicionin e kaluar dhe jo për cilësinë e ekipit. Si e thashë që në fillim, nuk ka shumë ndryshime mes atyre ekipeve që ishin në atë vazo. Tani ra Dinamo e Zagrebit dhe do të mendojmë për të, vetëm për të.

Ndeshja e parë luhet në Elbasan. Është favorizuese apo jo?

Shikoni, unë e kam thënë gjithmonë se asnjëherë nuk ka rëndësi për mua se ku luajmë takimin e parë. Ne jemi një ekip shumë i kompletuar tani dhe shumë i fortë, prandaj do të mundohemi të japim më të mirën në ndeshjen e parë. Nëse marrim një rezultat të mirë këtu, atëherë shanset bëhen reale.

Sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar kroatët?

Besoj se kemi shanset tona. Me pak fat mund të bëjmë një tjetër arritje të madhe. Besojmë deri në fund se mund të jemi pjesë e grupeve të Champions Ligës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"