“100-vjetori e gjen Shkumbinin në të Parën”. Presidenti Ali Kasa shpalos të ardhmen e skuadrës peqinase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 16:45

“100-vjetori e gjen Shkumbinin në të Parën”. Presidenti Ali Kasa shpalos të ardhmen e skuadrës peqinase

Shkumbini e ka të pamundur arritjen e objektivit primar për kreun e grupit, gjë që do ta dërgojë në fazën “play off”. Presidenti i skuadrës peqinase, Ali Kasa, ka folur për ndeshjen me Këlcyrën dhe synimin e klubit në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”:

ali kasa shkumbini

“Është më se e qartë që ekipi ka bërë më të mirën, ndonëse nuk arritëm vendin e parë. Këtë e kemi biseduar me stafin, ekipin dhe të gjithë jemi të fokusuar për të dhënë më tepër për ndeshjet e ‘play off’-it. Shkumbini ka vlerësuar çdo takim për të testuar veten dhe për të luftuar për synimin tonë. Ato që mbeten të prekshme për ne, janë ndeshjet e ‘play off’-it, prandaj edhe fokusi ynë madhor do të jenë këto sfida. Këlcyra mbetet ndeshja e radhës për t’u vlerësuar.

Kërkojmë që djemtë të bëjnë detyrën e të mos nënvleftësojnë asnjë sfidë. Do të ketë hapësirë për të testuar veten ndërsa interesi më i madh për ne është forma maksimale e lojtarëve që kanë peshë. Ekipi po shkon drejt konsolidimit në çdo aspekt dhe besoj se projektet e të ardhmes duhet të finalizohen me sukses me ngjitjen në Kategorinë e Parë. Janë 100 vite histori dhe dashuri e madhe që ka çdo person në këtë qytet për futbollin, prandaj kërkojmë ta finalizojmë në mënyrën më të mirë. Të marrim një mbështetje maksimale nga tifozët tanë”.

LULZIM RESULI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"