“10 presidentët i bëjnë fresk Dukës”, Idrizi kundër ndryshimit të strukturës: Lodhet UEFA për variante dhe në fund…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2023 | 15:44

“10 presidentët i bëjnë fresk Dukës”, Idrizi kundër ndryshimit të strukturës: Lodhet UEFA për variante dhe në fund…

Sinan Idrizi, kundër FSHF-së edhe për strukturën e kampionatit. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, presidenti i Flamurtarit e quan fasadë skemën e re. Ai pretendon se në këtë formë mbushet vetëm një stadium dhe kjo nuk i duket aspak normale. I ashpër është edhe me homologët e tij të elitës, që, sipas tij, thjesht i bëjnë fresk Armand Dukës.

SINAN IDRIZI

FASADA ME STRUKTURËN

Kreu i kuqezinjve e cilëson një farsë skemën e re të elitës, në një kohë që vendimi ishte marrë.

“U mbars mali dhe polli një mi. Kjo është gjithë historia e kësaj. E çon ku e çon dhe e kthen prapë në një stadium. Dhe që të kthehet ekonomia e futbollit te mbushja e një stadiumi, unë nuk e kuptoj dot këtë. Të gjitha i kuptoj në jetë, por që të lodhet UEFA me 4-5 programe dhe strategji, dhe në fund fare të vërtitet e gjitha dhe të ardhurat tona në mbushjen e një stadiumi është katastrofë fare.

Do të thotë tani që kjo skemë është fasadë. Është e vendosur, edhe ata të tjerët shkojnë për fasadë aty. Shkojnë marrin gjasme vendime, u dialogua e diskutua, më the e të thashë. Ok, ka një anë pozitive që eliminon këtë katërshen këtej. Një ekip që i jep katër ndeshje një ekipi për favore, që të dalë kampion, dhe të tjera si këto. Në fund fare, kjo nuk prodhon asgjë. Është avaz i vjetër. Nuk di se çfarë të them më shumë, jam shumë i habitur”, shprehet fillimisht Idrizi.

CENTRALIZIMI I KRYEQYTETIT

Sinan Idrizi thekson se këto ndryshime centralizojnë vetëm Tiranën. Presidenti i Flamurtarit sugjeron që për skemën e re të pyesin Besnik Dizdarin, pasi përgjigjet i kanë në shkrimet e tij në “Panorama Sport”.

“Çfarë bën, centralizon Tiranën tani. Nëse vitin tjetër do të jenë katër ekipe që do të luajnë, Vllaznia, Skënderbeu, Tirana dhe Partizani, nëse doni një skemë të re për futbollin, nuk keni pse të shkoni në UEFA. Lexoni atë që ka propozuar Besnik Dizdari, që di më shumë nga futbolli shqiptar se UEFA, se FSHF-ja dhe të gjithë ne bashkë. Aplikojeni! Ti e ke gati. Ti e ke memorien e gjallë. Ka disa cikle që i kam lexuar te gazeta juaj nga Besnik Dizdari. Është profesor dhe jo gazetar.

Profesor gazetarie për futbollin shqiptar, është i vetmi. Atë nuk e thërret njeri ore vëlla. Çfarë thërrisni për fushatë, presidentët e klubeve. Ok, të gjithë kontribuojnë, por nuk është ky futbolli. Çfarë skeme është kjo… Është prapë 10 me 10, 5 me 5. Të paktën abuzivitetin e këtyre ekipeve do ta eliminojë. Ok, është e dukshme, por nuk sjell gjë të re.

Të thuash që kjo do të rrisë të ardhurat se do të zhvillohen tri ndeshje më të forta në ‘Air Albania’, unë nuk dua ta besoj këtë gjë. Që futbolli shqiptar të katandiset që e ardhmja e tij është te mbushja e stadiumet për dy ndeshje, plus që do të bëhen, këtë nuk e di”, thotë kreu i klubit vlonjat.

PRESIDENTËT BËJNË FRESK

Sinan Idrizi thotë se duhet të pyetet qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Ai thekson, se 10 kolegët e tij të Superiores i bëjnë fresk presidentit Armand Duka.

“Të pyetet Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Të pyetet dhe qeveria. Por jo vetëm 10 aktorë. Çfarë është kjo. Është skandaloze. Pyet 10 presidentët e Superiores sot ti dhe në ditën e parë jepen katër variante. Por ditën tjetër, presidenti i FSHFsë thotë se ju kam dhënë katër variante, por ai që do të bëhet është ky që ju them unë. Për çfarë i morët këta kot aty…? Për çfarë bëjnë fresk këta miqtë e mi. Është e pakuptimtë. Është çudi e madhe”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"