Teuta me objektiva për më lart, Zogos: Atmosfera në ekip bën diferencën në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2025 | 14:18

Teuta me objektiva për më lart, Zogos: Atmosfera në ekip bën diferencën në fushë

Teuta ka zhvilluar një sezon me luhatje, por edhe me momente bindëse gjatë dy fazave të para të kampionatit. Një nga lojtarët që ka mbajtur peshë të rëndësishme në repartin defensiv është mbrojtësi Vasili Zogos, i cili me stabilitetin dhe përvojën e tij ka ndihmuar skuadrën të ruajë ekuilibrat. Në këtë intervistë, ai flet për ecurinë e deritanishme të Teutës, sfidat e hasura dhe objektivat për pjesën e mbetur të sezonit.

zogos

Si do ta vlerësoje ecurinë e Teutës gjatë dy fazave të para të kampionatit? Në përgjithësi kemi bërë paraqitje pozitive, edhe pse ka pasur ndeshje ku mund të kishim marrë më shumë. E rëndësishme është që skuadra ka ruajtur balancat dhe ka treguar karakter.

A mendon se mbrojtja ka qenë një nga pikat e forta të skuadrës? Po, si repart kemi punuar shumë për kompaktësinë dhe komunikimin mes nesh. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por jemi në rrugën e duhur

Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha në këto dy faza? Ka pasur periudha me ngarkesë të madhe dhe ndeshje të vështira radhazi. Gjithashtu, kur rezultati nuk vjen, presioni rritet, por e kemi menaxhuar mirë si grup.

Si e sheh progresin personal gjatë këtij sezoni? Ndihem mirë fizikisht dhe më i pjekur taktikisht. Çdo ndeshje përpiqem të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën.

Sa e rëndësishme ka qenë atmosfera në ekip? Shumë e rëndësishme. Jemi një grup i bashkuar, dhe kjo reflektohet edhe në fushë. Kur ka harmoni, rezultatet vijnë më lehtë.

Çfarë objektivash keni për pjesën e mbetur të sezonit? Synimi është të jemi sa më lart në renditje dhe të luftojmë deri në fund për objektivat e klubit. Do të hyjmë në çdo ndeshje për pikët maksimale.

Çfarë duhet përmirësuar më shumë në lojën e Teutës? Duhet të jemi më cinikë përpara portës dhe të ruajmë përqendrimin deri në minutën e fundit. Detajet bëjnë diferencën.

Si e shikon konkurrencën në kampionat këtë sezon? Është shumë e fortë. Çdo skuadër mund të marrë rezultat ndaj kujtdo. Kjo të detyron të jesh gjithmonë maksimal.

Cfarë të motivon më shumë për ndeshjet e ardhshme? Besimi i skuadrës dhe përgjegjësia që kam si lojtar i Teutës. Çdo ndeshje është një sfidë e re për t’u përmirësuar.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL