“Zgjohet” Korabi, ja kush pritet të jetë afrimi i parë i dibranëve
Korabi nuk ka arritur të paraqitet në nivelin e pritshëm gjatë dy sezoneve të fundit, çka bëri që skuadra dibrane të mbetej jashtë zonës “play-off”. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur punën për të ndërtuar një ekip më konkurrues për sezonin 2026-2027.
Administratori i Korabit, Alban Maziu, deklaroi pak ditë më parë për “Panorama Sport” se strategjia e klubit gjatë merkatos së verës do të bazohet te ruajtja e bërthamës së skuadrës aktuale dhe afrimi i disa lojtarëve me eksperiencë, të aftë për të rritur nivelin e ekipit. Sipas Maziut, pjesa dërrmuese e grupit që mbylli sezonin e fundit do të vijojë të jetë pjesë e Korabit, ndërsa priten 3-4 afrime cilësore për të kompletuar organikën dhe për t’i dhënë skuadrës më shumë forcë në garën e ardhshme. Allmuça, goditja e parë e merkatos Edhe pse skuadra ndodhet në pushime verore, drejtuesit nuk kanë qëndruar duarkryq.
Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se afrimi i parë i Korabit pritet të jetë mbrojtësi i majtë Ilir Allmuça, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Lushnjës. 29- vjeçari numëron një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar, pasi më herët ka veshur fanellat e Dinamos, Egnatias, Flamurtarit dhe së fundmi të Lushnjës. Ai pritet të firmosë një kontratë dyvjeçare me klubin dibran.
Allmuça konsiderohet një futbollist polivalent, i aftë të luajë në disa role në krahun e majtë. Përveç detyrave mbrojtëse, ai mund të kontribuojë edhe në fazën sulmuese, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike. Afrimi i tij pritet të sjellë më shumë eksperiencë dhe stabilitet në repartin defensiv të Korabit, ndërsa merkatoja e dibranëve mbetet e hapur për lëvizje të tjera. Objektivi është i qartë, ndërtimi i një skuadre konkurruese që të rikthejë Korabin mes pretendentëve dhe ta çojë ekipin drejt zonës “play off” në sezonin e ardhshëm.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













