Zhgënjimi pas ndeshjes me Flamurtarin, trajneri Bellaj: Edhe unë në këtë gjatësi që kam, nuk…
Trajneri Arjan Bellaj foli pas barazimit pa gola të Vorës me Flamurtarin. Ekipi vorak mbetet jashtë zonës së ftohtë pas 22 javësh të luajtura në Superiore.

“Besoj kemi bërë gjithçka për të shkuar te fitorja, dua t’i përgëzoj çunat. Me mbajtjen e topit, vertikalizimet, dalja nga krahu. Në futboll po nuk shënove, nuk merr fitore. Kjo ishte ndeshja ku ne na duhej goli, për fat të keq portieri i Flamurtarit ishte në ditë të shkëlqyer, ndërhyri 3 herë që mund të kishim shënuar. Në goditje standarde dhe korne nuk patëm qetësinë për ta shfrytëzuar. U thashë çunave para ndeshjes, që do kemi mundësinë ta zgjidhim ndeshjen me goditje standarde. E patëm atë mundësi, Flamurtari rrinte mbrapa duke marrë faull dhe duke bërë korne, por nuk gjetëm këmbën e mirë të Vrapit ose Bajramajt. Një mundësi të kishte shkuar gol. Do vazhdojmë të luftojmë. Mundësinë e kishim sot të fitonim, nuk shënuam, por futbolli do dhe fat.
Nuk na shqetëson barazimet radhazi, por fakti me kë i kemi marrë. Ishin ekipe direkte si Tirana, akoma dhe Teuta që nuk është në gjendje të mirë dhe Flamurtari sot. Të paktën duhet të kishim dy fitore, më mirë ashtu dhe të humbisnim nga Teuta se tre barazime.
E kishim parë Flamurtarin, si luante kur bënte presing ultra ofensiv. Dhe e kishim direkt te Harizaj, duhet të gjente gjithmonë në krahun e Dakës dhe Zunës. Ky krah është pak më i dobët duke parë Trashin dhe stoperin e majtë në treshe të Flamurtarit. E kishim zgjidhur me Harizajn në krahun e majtë, duke luftuar Daka dhe Zuna. E kishim përgatitur, edhe kur Flamurtari do bënte presing. Dhe pjesën e dytë duhet të kishim qarkullim me vertikalizime, që pastaj të dilnim në krahë.
Gjithmonë themi që të mbushim zonën me dy tetëshat. Duke u bërë më të rrezikshëm, në shumë ndeshje e kemi patur këtë defekt. Vetëm me Tiranën që e mbushëm në pjesën e dytë zonën se ishim në disavantazh se kërkuam golin. E kemi këtë të metë, si dhe që sulmuesit tonë që kanë nga një gol. Golat i kemi bërë me mesfushorë dhe mbrojtës. E kemi pak këtë problem, golin. Është ngërç, psikologjik, por duhet të besojmë akoma më shumë. Bardhi e kishim vendosur, t’i japim kohë, erdhi dhe bëri shumë mirë kur u fut. Gjithmonë them, nëse nuk mbushim zonën e 16-shit me shumë futbollistë, që të ketë zgjedhje për të shënuar, kalon një futbollist, topi duhet të shkojë te tjetri. Po të shikojmë, ne kemi pasur një ose dy në zonë, Edhe unë të jem në këtë gjatësi që kam, të kem besim se do shënoj me kokë. Mbushja e zonës.
Bardhi është mënyra e lojës së tij, sa luajti bëri mirë. Thjesht duhet të rikuperojmë pikët që kemi lënë. Kemi 4 ndeshje në shtëpi, duhet të bëjmë maksimumin. Nuk duhet ta humbasim këtë renditje me mish dhe shpirt. Nuk duhet të shikojmë çfarë ekipi vjen. I njohim të gjitha ekipet, na ka çaluar përqëndrimi ose fati. Besoj ndeshjen me Vllazninë të kemi fatin me vete, të marrim 3 pikët që do na mbajnë akoma më lart.
Nuk mund të them për favor të kalendarit të ndeshjeve. Ndeshjet e tjera i kemi luajtur jashtë dhe morëm 19 pikë. Nëse arrijmë të shkojmë në pikët që kemi vendosur si objektiv, kur të mbarojë faza e tretë, do jemi shumë të kënaqur. Kemi Bylisin jashtë. Të gjitha ndeshjet bëhen më të vështira. Nuk ka bërë ndonjë diferencë te fusha jonë me ekipet që kanë ardhur. Prandaj kam besim te fusha jonë, edhe me ekipet që janë në katërshe. Është kalendar i drejtë, por nuk mund të them duke ditur mundësitë tona dhe duke njohur kundërshtarin akoma më mirë”, u shpreh Bellaj për “RTSH”.
PANORAMASPORT.AL













