Zgjerohet investimi në stadiumin e Vlorës, trajneri Garsia: Flamurtari gati për fillimin e sezonit
Karlos Garsia rrëfen ditët turke të Flamurtarit. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport” nga kompleksi sportiv në Bolu të Turqisë, trajneri spanjoll shprehet i kënaqur nga reagimi i skuadrës dhe përkushtimin e lojtarëve.

Garsia thotë se skuadra po reagon pozitivisht, por duhet të punojë në të gjitha fushat për tu përmirësuar. Dy ndeshjet miqësore kanë shërbyer për të parë situatën reale. Tekniku spanjoll e shikon gati skuadrën për të nisur kampionatin në 23 gusht.
Garsia, si po shkojnë përgatitjet në Turqi?
Jemi duke punuar intensivisht, me shumë ritëm. Unë mendoj se çdo gjë po shkon shumë mirë. Jam i kënaqur me përkushtimin dhe përpjekjet e lojtarëve për të dhënë më të mirën e tyre në çdo seancë stërvitore. Këtu kushtet e akomodimit, infrastruktura stërvitore, klima janë shumë të mira dhe ne po punojmë të gjithë për një qëllim të përbashkët. Në përgjithësi, më pëlqen se si skuadra është duke iu përgjigjur kërkesave të mia dhe detyrave që u japim. Jemi shumë të fokusuar te puna, nuk ka pushim në asnjë moment.
Sa të “ngroh” kjo skuadër për vazhdimësinë?
Duhet të vazhdojmë të punojmë në të gjitha fushat për t’u përmirësuar. Skuadra po reagon mirë. Është një ekip me lojtarë, që në pjesën më të madhe të tyre janë të rinj, por që po ambientohen shumë mirë. Kemi edhe lojtarë, të cilët kanë qenë pjesë e Flamurtarit në sezonin e shkuar dhe që të gjithë kanë vlera dhe janë të nevojshëm për ekipin.
Barazuat 2-2 në miqësoren me Ankara Keçiorenguçy dhe fituat në 1-0 në fundjavë me Turan Tovuz. Jeni i kënaqur nga paraqitja e skuadrës?
Unë mendoj se është një fillim i mirë për dy ndeshjet e para miqësore. Po fillojmë të shohim se çfarë duam të bëjmë më shumë. Kam marrë sinjale pozitive nga lojtarët. Normalisht, ndeshjet miqësore shërbejnë për të kolauduar skuadrën dhe për të rregulluar gjërat që duhet ti bëjmë më mirë, me qëllim që nisja e kampionatit të na gjejë sa më gati.
Mendoni se Flamurtari është gati për një fillim të mbarë në 23 gusht?
Patjetër që po. Me punën që ne po bëjmë dhe me dëshirën që kemi, jam shumë i bindur se do të jemi plotësisht gati për ndeshjen e pare, për një fillim sa më të mirë e të mbarë.
Merkato, a vazhdon që të jetë e hapur?
Mundohemi gjithmonë ta përmirësojmë ekipin në të gjitha fushat.
Në Vlorë
Zgjerohet investimi në infrastrukturën e stadiumit

Flamurtari po përgatitet intensivisht për sezonin e ri edhe jashtë fushe. Me ritme po punohet në drejtim të infrastrukturës. Klubi njofton nisjen nga Kina të ngarkesës me monitorë LED dhe tabelat elektronike bashkë me një monitor që do të transmetojë ndeshjet në kohë reale. Nga ana tjetër, ka nisur prishja e tabelës së vjetër. “Sapo është nisur nga Kina ngarkesa e monitorëve LED që do të përdoren në të gjithë gjatësinë e fushës së stadiumit “Flamurtari“. Bashkë me tabelat elektronike vjen edhe monitori i vetëm, me një kualitet tepër të lart, që do të transmetojë ndeshjet në kohë reale. Gjithashtu ka filluar prishja e karakatinës, që ishte bërë rrezik për jetën e njerëzve që kalojnë pranë kësaj zone. Stadiumi “Flamurtari” vazhdon me ritme të shpejt rikonstruksionin për të sjellë një ambient të standardeve të larta dhe të jetë gati për startin e kampionatit”, shkruhet në njoftimin e klubit.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













