Zbulohen prapaskenat/ Detajet e fundit rrëzojnë pistën “Shabani” te Laçi, ja pse nuk u finalizua transferimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2025 | 23:45

Zbulohen prapaskenat/ Detajet e fundit rrëzojnë pistën “Shabani” te Laçi, ja pse nuk u finalizua transferimi

Meritan Shabani, mesfushori i dalë nga akademia e Bajern Mynih, ishte shumë afër firmës me Laçin, pasi kishte një akord paraprak mes palëve, por kjo pistë ka rënë poshtë tashmë. “Panorama Sport” mëson se disa detaje të fundit kanë bërë që marrëveshja të mos finalizohet.

skysport_de-meritan-shabani_4304565

Nuk bëhet fjalë për anën financiare në këtë rast, por për çështje të tjera. Lojtari mësohet se donte një klauzolë në kontratë, sipas së cilës, nëse Laçi do të bjerë nga kategoria, ai mund të largohej. Një tjetër detaj, ku palët nuk kanë gjetur dakordësi, është edhe përqindja e kartonit. Mesfushori 25- vjeçar, pas largimit nga Kroacia, është një lojtar i lirë.

Një interesim për të ka pasur edhe nga Skënderbeu, ndërsa në verë ai ishte në shënjestër të Egnatias, Dinamos dhe Partizanit. Shabani kërkon që të rikthehet gradualisht në nivele të larta, pas dëmtimeve që e kanë penalizuar periudhën e fundit. Dhe futbollin shqiptar ai e sheh si një mundësi të mirë për rilançimin. Laçi ndërkohë, pas dy barazimeve pa gola me Partizanin, në kampionat dhe Kupë, është fokusuar te transferta e Korçës, ku synon të mos dalë pa pikë.

PANORAMASPORT.AL