“Vora mbijeton në elitë”, Dajan Shehi: Të shfrytëzojmë faktorin fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2026 | 21:18

“Vora mbijeton në elitë”, Dajan Shehi: Të shfrytëzojmë faktorin fushë

Vora po vijon stërvitjet rregullisht për ndeshjen e së shtunës kundër Egnatias dhe kërkon të marrë maksimumin e 4 ndeshjeve të mbetura në shtëpi gjatë fazës së tretë, ku kërkon që t’i shkëputet sa më shumë zonave të rrezikshme që të nxjerrin nga kategoria. Edhe ndaj Egnatias kërkohet maksimumi pikëve. Lidhur me këtë takim mbrojtësi majtë Dajan Shehi do të shprehet se është një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për t’ia dalë me një rezultat pozitiv.

dajan shehi

Gjithsesi ai mendon, se Vora do ta kalojë me sukses provën e parë si debutuese në elitë dhe do të riorganizohet që sezonin e ardhshëm të mendojë për objektiva më madhore. Dajan Shehi ka luajtur gjatë këtij sezoni 21 ndeshje nga 23 që ka zhvilluar Vora deri tani, ku janë regjistruar 1890 minuta.

Prononcimi – “Pritet që të jetë një përballje e vështirë, por gjithsesi jemi optimistë se do të ja dalim me një rezultat pozitiv. Kurrsesi nuk e mbivlerësojmë kundërshtarin, që kemi përballë edhe pse luan një futboll të fortë e me një përgatitje të lartë fizike, jam i bindur se do të kemi një rezultat sa më të mirë.

Nuk mund të them se, do të jemi të kënaqur dhe me barazimin pasi situata, që po kalojmë në këtë fazë është më e mira në krahasim me dy fazat e para, pasi kemi arritur të marrim një fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje. Luftojmë për maksimumin e pikëve në mënyrë, që ta zgjidhim sa më shpejt. Në këto situata që ne jemi, mendoj se duhet shfrytëzuar shumë faktori fushës dhe duhet marrë maksimumi në këto ndeshje të shtëpisë.

Mendoj se pikët në këto situata mbeten jetike për skuadrën. Kemi një kundërshtar që ka kualitet, por motivimi është ajo që do të bëj diferencën në fushë. Kemi vuajtur në dy përballjet e përparshme pasi skuadra kundërshtare na ka luajtur duke krijuar presion. Ne nuk duhet ta ulim ritmin. Kemi ndeshje të vështira dhe duhet të vazhdojmë përpara me rezultate të tjera pozitive. Të gjithë jemi të angazhuar që Vora ti shpëtojë mbijetesës.

Mendoj se çdo ndeshje ka specifikën e vet ashtu sikurse edhe kjo ndaj Egnatias ka specifikat e saj. Rezultati pozitiv duhet ajo që ne duhet të marrim nga kjo sfidë. Vora do të mund t’i mbijetojë Superiores e sezonin e ardhshëm. Ajo do të riorganizohet dhe do të ketë objektiva më madhore, duke pretenduar edhe më shumë”, ka përfunduar 28-vjeçari nga Elbasani, Dajan Shehi.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL