Vora kërkon ringritjen, Bellai ka fiksim… intervistat
Vora humbi një ndeshje, por ëndrra e saj për të përmbushur synimet dhe objektivat, vazhdon. E rëndësishme është që futbolli po fiton bukurinë, sepse loja e skuadrës, që drejtohet nga Arjan Bellai ishte e mirë, pavarësisht se mungoi goli, rastet ishin të dukshme. Kjo humbje bëri, që Vora të qëndrojë me “këmbë në tokë”, duke pretenduar aq sa u takon kësaj skuadre si debutuese.

Megjithatë Vora e ka nisur këtë sezon me fatin kundër, nuk ka stadiumin e vet dhe dëmtimet e vazhdueshme që nuk po e lënë të “marrë frymë” seriozisht trajneri i skuadrës Arjan Bellai. Gjithsesi, trajneri, asnjëherë nuk kërkon të shprehet para çdo ndeshje të radhës, ndoshta e ka si “ters” kështu, që lidhur me ecurinë e deritanishme të Vorës. Për ndeshjen e ardhshme me Egnatian, zëvendëstrajneri Topi tregoi ambiciet e klubit:
“Për ne, çdo ndeshje ka shumë rëndësi dhe secila ka vështirësitë dhe specifikat e veta, si për rezultatin, po ashtu edhe për lojën. Ne përpiqemi që të mos ndajmë këto aspekte, sepse çdo ndeshje e luajmë si finale. Këtë javë presim Egnatian, e cila vjen si kampione në fuqi dhe është rindërtuar shumë mirë. Por edhe ne kemi objektivat tona. Skuadra po stërvitet shumë mirë, dhe stafi teknik është i përkushtuar për të vendosur një formacion titullar që të jetë në maksimumin e aftësive për lojë”, tha ai.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













