VOLEJBOLL/ Ish-kapitenia e Skënderbeut kalon te Dinamo, Elena Bego: Vij për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2025 | 10:30

VOLEJBOLL/ Ish-kapitenia e Skënderbeut kalon te Dinamo, Elena Bego: Vij për titullin kampion

E riorganizuar dhe rikthyer sezonin e kaluar në elitë, pas më shumë një dekade, Dinamo e volejbollit të femrave kërkon që të ketë tashmë një rol protagonist në sportin e rrjetës.begoEkipi legjendar i volejbollit shqiptar ka nisur të ndërtojë grupin, me të cilin do të përballojë edicionin 2025-2026. Vetëm pak ditë nga prezantimi i trajnerit të ri, Orlando Koja, Dinamo ka finalizuar një afrim shumë të rëndësishëm vendor.

Klubi kryeqytetas ka nënshkruar me ish-kapitenen e Skënderbeut, Elena Bego, e cila tashmë është prezantuar në skuadrën e saj të re. Në ambientet e sallës “Feti Borova”, e shoqëruar nga trajneri Koja si dhe nga menaxheri i ekipit, Andi Bareti, volejbollistja korçare ka firmosur kontratën që do ta lidhë me Dinamon për sezonin e ri, duke shënuar kështu një kapitull të rëndësishëm në karrierën e saj, pas tetë viteve në radhët e Skënderbeut.

FJALËT E PARA Pas nënshkrimit me blutë, Elena Bego ka thënë edhe fjalët e para si lojtare e Dinamos. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 30-vjeçarja u shpreh: “Besoj se është një moment mjaft i rëndësishëm në aspektin tim profesional, duke qenë pjesë e një ekipi të lavdishëm si Dinamo. Për sa u përket objektivave me Dinamon, mendoj që të jemi pretendente për titull, dhe pse jo për të gjitha trofetë e mundshëm e sezonit 2025-2026”.

E pyetur se sa i vështirë ishte për të largimi pas kaq vitesh nga Skënderbeu, Bego thotë: “Patjetër që është një moment i vështirë, sepse kanë qenë vite mjaft të suksesshme për Skënderbeun, gjithashtu dhe për karrierën time. Te Skënderbeu u rrita dhe patjetër që gjithmonë ka një vend shumë të rëndësishëm në zemrën time”.

Te Dinamo, Bego do të gjejë trajnerin Orlando Koja, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në transferimin e volejbollistes në kryeqytet: “Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme që vazhdoj bashkëpunimin me profesor Orlandon, një profesionist në fushën e tij. Kemi pasur një bashkëpunim për 3 vite te Skënderbeu dhe jam përsëri shumë e lumtur që do të vazhdojmë rrugëtimin tonë te Dinamo, me qëllime mjaft të qarta”, përfundon Bego.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL