Vllaznia programon miqësore me Deçiçin, të mërkurën zbret në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2026 | 18:02

Vllaznia programon miqësore me Deçiçin, të mërkurën zbret në fushë

 Vllaznia ka vijuar përgatitjet për sezonin e ri, me stafin teknik që po punon çdo ditë për të hedhur bazat e skuadrës që do të përfaqësojë kuqeblutë në edicionin 2026-27. Krahas seancave stërvitore, drejtuesit dhe trajneri Edi Martini kanë planifikuar edhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore, të cilat do të shërbejnë për të testuar gjendjen e grupit dhe për të krijuar idenë më të qartë mbi kontingjentin që do të ketë në dispozicion.

vllaznia

Në program është parashikuar një përballje të mërkurën në orën 18:00 me Deçiçin e Tuzit, një kundërshtar tashmë i njohur për shkodranët. Duelet mes dy skuadrave gjatë periudhës verore janë shndërruar pothuajse në një traditë, falë marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet klubeve. Edhe këtë herë, miqësorja pritet të jetë një mundësi e mirë për të dy ekipet që të matin forcat në prag të angazhimeve zyrtare. Megjithatë, Vllaznia ende nuk e ka grupin e plotë në dispozicion.

Pas largimeve të shumta dhe me merkaton që mbetet ende e hapur, trajneri Martini është duke punuar me një organikë të reduktuar, ku pjesë e stërvitjeve janë bërë edhe futbollistë të rinj nga akademia dhe ekipi B. Pikërisht për këtë arsye, sfida ndaj Deçiçit merr një rëndësi të veçantë në këtë fazë të përgatitjeve. Ndeshja pritet të shërbejë jo vetëm për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve aktualë, por edhe për të parë nga afër disa elementë të rinj që mund t’i bashkohen skuadrës në vazhdim.

Stafi teknik po monitoron me kujdes çdo alternativë në treg dhe miqësorja mund të jetë një mundësi ideale për të testuar futbollistë që synojnë të fitojnë një vend në grupin kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, Vllaznia vijon të ndërtojë me kujdes skuadrën e re, ndërsa pritet që gjatë javëve në vijim grupi të marrë formën përfundimtare.

PANORAMASPORT.AL